Gjergj Vyshka 29.05.2016 21:05
Flamurtari ka tërhequr ekipin me pretendimin se Federata Shqiptare e Volejbollit ia ka me inat dhe ia vë gjyqtarët në kurriz për t’i dëmtuar. Hedhje të sendeve plastike në fushë dhe ofendime. Pogradeci në volejboll për vajza për moshën deri në 14 vjeç është kampione e Shqipërisë në fazën finale që është zhvilluar dje në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet.
Sipas trajnerit të liqenoreve, Llazi Kërxhalliu, Pogradeci ka munduar Apoloninë, 2-0, Vllazninë 2-1 dhe Flamurtarin 2-0. “Setin e parë e kemi marrë 20-18. Në të dytin, kur kryesonim 13-8, Flamurtari ka tërhequr ekipin nga fusha e lojës me pretendimin se Federata Shqiptare e Volejbollit ia ka me inat dhe ia vë gjyqtarët në kurriz për t’i dëmtuar”, – ka rrëfyer Kërxhalliu.
Ndërkohë, në parket ka pasur edhe hedhje të sendeve plastike, teksa është luajtur pa forca rendi. “Të sharat dhe ofendimet vinin nga çdo anë dhe unë tërhoqa skuadrën dhe e futa në dhomat e zhveshjes deri në qetësimin e situatës”, – ka shpjeguar Kërxhalliu, ndërsa sipas tij vendimi është marrë nga Shpëtim Abedini dhe jo trajneri që drejtonte Flamurtarin, që në fund i ka dhënë dorën Pogradecit si “kampione”.
“Mua më vjen keq që ka ndodhur kështu, sepse Shpëtim Abedini i kishte karikuar vajzat sikur të ishin kampione pa luajtur, ndërsa fjalori i tyre i pisët kalonte çdo cak. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe me para të rejat”, – ka përfunduar trajnerit të liqenoreve, Llazi Kërxhalli, kurse trofeun e “kampiones” Pogradecit ia ka dorëzuar Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Konalsi Gjoka.