Gjergj Vyshka 15.03.2016 12:15
E shtuna e kaluar më tepër se sa ndeshja e paluajtur me Studentin në kampionat ka qenë një ditë feste për Korabin dhe volejbollin e femrave. Musa Rricka, “Qytetar Nderi i Peshkopisë”, ka dhënë një donacion për ekipin e femrave në shumën prej 150,000 lekësh të rinj. Jo vetëm kaq, por dhe nga një uniformë për vajzat, si dhe ka premtuar se do të jetë pranë këtij ekipi me qëllimin final daljen në fund të sezonit 2016-2017 në grupin A1.
Aktualisht Korabi është në vendin e dytë, por e ka të pamundur të kap Lushnjën e vendit të parë, që nuk ka asnjë humbje dhe është e sigurt drejt ardhjes mes më të mirëve të volejbollit shqiptar. Në ceremoninë e dhënies së donacionit ka qenë i pranishëm Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili. Po kështu ka qenë shefi i klubit shumësportësh Korabi, Melsi Tafa.
I gjithë ekipi së bashku me trajnerin Fehmi Bulku. Mjeshtrat e sportit të mundjes dibrane Fariz Cibaku dhe Fiqiri Rama, por dhe dy ish-volejbolliste të Korabit si Afrime Zalkurti dhe Shkëlqime Hasani. Nuk duhet harruar edhe prania e bashkëshortes së ish-trajnerit legjendë të Korabit në volejbollin e femrave, Bashkim Lalës, Meritës. E kësisoj një donacion i Musa Rriskës për Korabin e femrave duket se do të jetë një motiv më shumë për këto vajza të talentuara dibrane.