AlbanianSport.com 16/10/2018 08:50
ASNN – Trajneri i Partizanit, Ylli Tomori, e ka pranuar se skuadrae tij e ka nisur dobët Kampionatin Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj, ku të kuqtë kanë pësuar dy humbje, fillimisht ndaj Erzenit të Shijakut në javën e dytë (teksa javën e parë, për efekt kalendari, e kishte pushim) e më pas kundër Vllaznisë në javën e dytë. Partizani ka 37 vjet që nuk fiton titull dhe duket paksa e vështirë ta fitojë edhe këtë sezon.
Kjo, pasi rivalët janë për momentin më lart se të kuqtë dhje kanë më shumë shanse. Vetë Tomori ka zgjedhur Tiranën dhe Erzenin si dy ekipe që kanë shanse më të mëdha për të fituar trofeun më të rëndësishëm sezonal. “Pretendente shikoj Erzenin, si ka qenë edhe sezonin e shkuar, – ka pohuar trajneri kryeqytetas. – Është një skuadër e fortë dhe me shumë grintë.”
“Edhe Tirana është një ekip i fortë, sepse është përforcuar shumë, por mund të shtoj këtu Skënderbeun dhe Vllazninë që janë pretendente gjithashtu, – ka theksuar Tomori. -Me modesti e them se edhe Partizani mund të futet në këtë grup. Ne do të shikojmë ecurinë e skuadrës deri në janar dhe nëse do të kuptojmë që nuk do të kemi premise për titullin, atëherë do të aktivizojmë lojtarë të rinj, në mënyrë që ky kontingjent të rinjsh të jetë gati për sezonin tjetër”, – theksoi ish-trajneri i Kombëtares së meshkujve të rrjetës, i cituar nga e përditshmen sportive “Panorama Sport”.