Vllaznia në volejboll për meshkuj duket se akoma nuk dalë nga pesha emocionale e dështimit në Kupën e Shqipërisë kur me atë eliminim të befasishëm në gjysmëfinale me Teutën shpërdoruan mundësinë më të mirë për të sjellë këtë trofe pas 27 vitesh mungesë në Shkodër. Një gjë e tillë është reflektuar edhe me rinisjen e ballafaqimeve të garës në kampionat, kur mbrëmë janë mundur sërishmi në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, këtë radhë nga Farka Volej.
Në fakt, me atë nisje pozitive e krejt shpërthyese, kur djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri i tyre Artan Kalaja kaluan me sukses dy setet e parë të ndeshjes, të parin 25-13 dhe të dytin 25-22, u duk se Vllaznia do të niste të reflektonte në kampionat për të përligjur atë paraqitje dinjitoze që kanë bërë në gjysmën e parë të sezonit, teksa ka qenë lidere e kampionatit.
Por nuk ka ndodhur ashtu, sepse më pas loja ka marrë tjetër rrjedhë. Dhe pabesia e këtij sporti, që quhet volejboll, nëse nuk arrin t’ia bësh shërbimin si duhet çdo momenti, çdo shërbimi, çdo pasim, shutimi, blloku apo mbrojtje, elementët bazë këto të lojës, të bën të mos arrish ta mbash nën kontroll rezultatin. Kështu u ndodhi volejbollistëve shkodranë edhe mbrëmjen e së mërkurës.
Edhe pse i kishin mundësitë ta mbyllnin të gjithë ndeshjen me fitore 3-0, lëshojnë shumë në setin e tretë, duke e humbur me rezultatin 22-25. Atë që shpërdoruan në setin e tretë kërkojnë ta rimarrin në setin e katërt, por edhe pse disa herë i afrohen, skuadra mike e Farka Volej reziston shumë dhe duke e fituar edhe këtë set me pikët shtesë 27-29 e çon ndeshjen në set final.
Morali në rritje nga seti në set i volejbollistëve miq, kundrejt në rënie të lirë e homologëve të tyre shkodranë, bën të veten dhe në përfundim shifrat 12-15 flasin sërishmi për miqtë, të cilët së bashku me trajnerin e tyre Dritan Bardhi festojnë fitoren e setit të pestë dhe të gjithë ndeshjes me shifrat e përgjithshëm të seteve 3-2, duke konsoliduar vendin në “play-off”-in për titullin “kampion”.
Vllaznia – Farka Volej 2-3
(25-13, 25-22, 22-25, 27-29, 12-15)
Vllaznia: Miloti, N. Qafarena, Jukni, A. Qafarena, Taflaj, Rrashketa, R. Kola (L) / Tatar, Çekini, K. Kola, Lloshi, Preka. Trajner: A. Kalaja
Farka Volej: Deliu, Koçi, O. Qepa, Bajrami, Nimani, Metani, K. Berdufi (L) / Vllaçaj, Plaku, Xhajkone, Doda, Hodaj, Alku. Trajner D. Bardhi
Gjyqtarë: Ko. Gjoka, E. Zenullari (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 15-të
(16 mars 2016)
Teuta – Skënderbeu 3-0
Tirana – Elbasani 3-0
Vllaznia – Farka Volej 2-3
Studenti pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Studenti 12 10 2 32-13 28
- Vllaznia 13 9 4 31-20 27
- Tirana 13 8 5 29-17 26
- Farka Volej 13 8 5 28-20 23
- Teuta 13 8 5 29-22 23
- Skënderbeu 13 2 11 9-34 6
- Elbasani 13 0 13 7-39 2