Gjergj Vyshka 28.04.2016 23:00
Kapiteni i Studentit, Elton Tukseferi, i ka dhënë fund karrierës si lojtar pas gati 30 vjetësh, ndërsa tashmë ambiciet janë për një tjetër rrugë. Kuptohet ajo e trajnerit. Ndërkohë, trajneri i ri i kombëtares së Shqipërisë në volejboll për meshku, Jani Melka, por dhe drejtori teknik, Dritan Çuko, kanë kërkuar që ta kenë pranë Tukseferin në Ligën e Evropës.
Dhe ish-kapiteni i kombëtares nuk e refuzon një ftesë të tillë. “Unë kam punuar me ta dhe më bëhet shumë qejfi që do të jenë në krye të kombëtares, – ka pohuar Tukseferi. – Madje i uroj suksese për punën e tyre. Nëse do të kenë nevojë për mua asnjëherë nuk kam për të thënë jo. Dhe një faleminderit të gjithëve.” Dje, Tukseferi ka qenë i rrethuar nga shokët e skuadrës, trajneri Tomorri, familjarët e tij.
Medalje, tufa me lule, foto dhe kjo ishte lamtumira e kapitenit Tukseferi, legjenda e pas viteve 90-të në volejbollin shqiptar. Por Tukseferi refuzon të thotë se cili do të jetë ekipi i tij i parë si trajner: “Të festojmë njëherë titullin “kampion”, pastaj deri në shtator ka kohë për t’i dhënë përgjigje këtyre enigmave”, – ka thënë veterani i parketit shqiptar të meshkujve.