Gjergj Vyshka 04.06.2017 17:40
Siç dihet, ekipet kombëtare do të marrin pjesë për të dytin vit me radhë në Ligën e Evropës dhe javën e ardhshme do të debutojë kombëtarja e femrave, që takimet e para do t’i zhvillojë në “Tirana Olimpik Park”. Dhe ekipet kuqezi premtuan për një përfaqësim sa më dinjitoz, bazuar te dëshira për të nderuar fanellën kuqezi dhe mbi të gjitha te puna e bërë.
Trajnerët Jani Melka për djem e Altin Martiri për vajza premtuan maksimumin në fushë në këto ndeshje, duke besuar te forca e skuadrave që ata drejtojnë. Melka, i ka thënë një “Bravo” të madhe Federatës Shqiptare të Volejbollit për të gjithë organizimin. “Ne jemi krenar për gjithçka dhe këtë krenari duhet ta transmetojmë dhe jashtë, – ka deklaruar ai. – Luajmë për një fanellë dhe një komb dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë.”
“Mendoj se do të kemi një përvojë më shumë për të bërë çdo gjë mirë në këtë pjesëmarrje të dytë në Ligën e Evropës”, – ka përfunduar trajneri i Shqipërisë së meshkujve të rrjetës, Jani Melka, ndërsa tani gjithçka i mbetet fushës së lojës, kurse volejbolli do të jetë i pari që do të përurojë zyrtarisht mjediset e reja në Parkun Olimpik të Tiranës.