Gjergj Vyshka 22.04.2016 13:45
Trajneri i ekipit kombëtar të volejbollit të meshkujve ka qenë i pranishëm në “Asllan Rusi”: “Troka Pepa dhe Gorenxa lojtarët kyç të finales së parë”. Melka është në hartim e sipër të programit për pjesëmarrjen me sukses në Ligën e Evropës. Jani Melka, trajneri i ekipit kombëtar të volejbollit të meshkujve, ka qenë i pranishëm në “Asllan Rusi”, atje ku ka ndjekur finalen e parë të titullit kampion mes Studentit dhe Tiranës.
Melka ka qenë përkrah Presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, Sekretarit të Përgjithshëm, Albens Vokopola, si dhe mjeshtrit të rrjetës së shqiptare Vangjel Koja. Pa harruar që ka qenë i shoqëruar nga ndihmësi i tij Artan Kalaja, si dhe drejtori teknik Dritan Çuko, i cili e ka parë ndeshje nga një pozicion tjetër për të parë më mirë të gjitha lëvizjet e lojtarëve.
Në përfundim të ndeshjes, ndonëse sot ai do të jetë në konferencë për shtyp në mjediset e Hotelit “Doro City” në kryeqytet, ka folur edhe për finalen e parë të titullit “kampion”, duke vlerësuar nivelin e saj. “Isha me fat që erdha dhe pashë finalen e parë të titullit kampion në volejboll për meshkuj, – ka thënë ai. – Nga informacionet që kam dhe nga ajo që pashë, besoj se ishin dy ekipet më të mira të kampionatit.
“Dhe që e meritonin të ishin në finale, – ka vijuar trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. – Studenti e meritonte fitoren. Ishte më i lexuar nga ana taktike. Gjithashtu ka qenë më i vendosur në pikët e fundit të çdo seti. Do të kenë rivalitet finalet dhe kjo duhet për të rritur nivelin i volejbollit tonë.”