Gjergj Vyshka 06.05.2016 12:55
Në fakt prej muajsh ka pasur një ngrirje të marrëdhënieve mes trajnerit të Studentit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomorri, dhe shefit të klubit shumësportësh Blendi Nallbani. Sepse për hir të së vërtetës gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet kur është bërë delegacioni për të vajtur në Katar.
“Shiko, – thotë Tomorri, – po t’ju tregoj mesazhet ka që nga 3 marsi që Nallbani nuk komunikon me ne dhe nuk ka ardhur as kur kemi marrë Kupën e Shqipërisë në Shkodër, por as për titullin “kampion”. Po ju them vetëm kaq në periudhën gusht-dhjetor trajtimet ushqimore të lojtarëve nuk janë dhënë nga klubi dhe i kam paguar unë dhe i kam marrë pastaj.”
“Por askush nga këta nuk u ndje, – vijon trajneri i Studentit. – Jo vetëm kaq, që nga marsi, lojtarët nuk marrin më trajtimin ushqimor dhe ne për këtë do të shkojmë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të zgjidhur këtë situatë. Në lidhje me Al Xhaziran, kam qenë unë së bashku me ambasadorin Nebi Domi që kemi bërë lidhjet me klubin dhe takimin me presidentin e asaj skuadre dhe më pas të gjithë organizimin e turneut.”
“Gjithçka është bërë për djemtë dhe do të bëhet për ta. Të jeni të sigurt për këtë dhe do të shkojmë t’i kthejmë vizitën shumë shpejt Al Xhaziras”, – ka përfunduar trajneri i kampionëve të Shqipërisë në volejboll për meshkuj.