Gjergj Vyshka 06.05.2016 10:25
Në fakt, Studenti është ndër të paktat skuadra të volejbollit shqiptar që bën stërvitje dhe atëherë kur kampionati është pushim për shkak të përfundimit të sezonit. Dhe vetëm një javë pasi ka përfunduar kampionati, Studenti është përsëri në stërvitje. Duket paksa si e çuditshme, por kampionët dje kanë qenë gati për stërvitje. “Nëse kemi këto rezultate, – thotë Tomorri, – është se është skuadër që bën stërvitje gjatë gjithë vitit, vetëm dy javë bën pushim, ndërsa këtë periudhë e ka në parket lojëra me top, “fitness”, sallë force, vrap te kodrat e Liqenit e të tjera si këto.”
“Por jemi ndodhur para një fakti, Studenti ka dërguar një letër në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ku nuk lejohet të bëjmë më ne stërvitje, – ka vijuar ai. – Pra me urdhër të klubit nuk na lënë të bëjmë më stërvitje”. Në të vërtetë Studenti ka borxhe ndaj Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” për moshlyerjen e pagesave ndaj kësaj ndërmarrjeje. “Por ama, – thotë trajneri veteran, – ne që jemi paguesit më të rregullt ne privohemi nga stërvitja, ndërsa basketbolli i femrave, ekipi që renditet në vendin e 6-të, bën stërvitje në sallën kryesore. Dhe kjo nuk ka asnjë lloj komenti.”
“Kuptohet që e kanë me mua, por ama këto janë “kampionë” e këta janë nderi i klubit dhe duhet të ishin nderuar”, – shton ai. Madje Tomorri shkon më tutje, ndërsa bën krahasimin e kupës së marrë nga Federata Shqiptare e Volejbollit me atë që kishte basketbolli në Superkupë. “Sa më e madhe të jetë kupa, aq më megalomane është Federata, – thotë ai me shpoti. – Sa më e vogël, aq më e ngushtë. Aq më shumë që në Federatën Shqiptare të Volejbollit kanë lekë, sepse vetëm Studenti ka paguar 225.000 lekë të rinj gjatë gjithë vitit, kurse të tjerët 50000 lekë të rinj.”
“Janë për ekipin kombëtar, dakord, – vijon ish-trajneri i Kombëtares. – Por ama nuk mund të lidhet mungesa e shpërblimit të ekipit kampion me mospagesat e sallës nga klubit shumësportësh.” Që do të thotë se Studenti për shkak të mospagesave në Pallatin e Sportit nuk ka marrë shpërblimin që i takon si “kampion”, ashtu sikurse duket do të ndodhë me Barletin Volejin. “Normalisht ne duhet të kishim thënë që përpara “play-off”-it, “o na garantoni shpërblimin, ose nuk luajmë!”, – ka kujtuar Tomorri. – Por nuk e bëmë.”
“Luajtëm, jemi kampion dhe tani ndodhemi përpara këtij fenomeni që na ndalojnë të stërvitemi”, – ka thënë trajneri i kampionëve, ndërsa nga Studenti ka shkuar dhe shkresa në Federatën Shqiptare të Volejbollit që nuk do të merret pjesë në këtë sezon në Kupat e Evropës. “Ka forma të tjera për të marrë mospagesat në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” nëpërmjet asaj që klubi do të bëjë regjistrimin për sezonin e ri, por skuadra nuk mund të privohet shpërblimi i titullit”.