AlbanianSport.com 14.04.2015 22:15
ASNN – Trajneri i Studentit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomorri, u shpreh entuziast për fitoren e arritur në finalen e dytë ndaj Tiranës dhe, në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, “arkitekti” i kampionëve u shpreh se, përpara ndeshjes, u kishte kërkuar volejbollistëve që të luanin për Tukseferin. Mes të tjerash, tekniku Tomorri shprehu keqardhjen për vendimin e marrë ndaj kapitenit, duke e cilësuar si absurd.
“Në fakt, siç e pamë, ne po sulmohemi nga të gjitha anët, – ka pretenduar ai. – Nuk arrij të kuptoj se çfarë po ndodh kështu me vendimet e gjyqtarëve, janë nën presion dhe me ngarkesë të madhe psikologjike. E pranojmë se incidenti i ndodhur në finalen e parë ishte një ngjarje e shëmtuar, por, në anën tjetër, gjykoj se vendimi i marrë ndaj Tukseferit qe absurd. Nuk arrij ta kuptoj masën e dënimit të tij deri në fund të dhjetorit të këtij viti.”
“Sa i përket ndeshjes, ne vinim pas një humbjeje dhe, për më tepër, me një mungesë të rëndësishme si ajo e Elton Tukseferit, i cili, për mua, është “asi nën mëngë”, – ka vijuar trajneri i Studentit. – Por, ne i dimë forcat tona dhe skuadra tregoi karakter dhe personalitet. Ekipit i kërkova para ndeshjes që në këtë takim të luanin për Tonin dhe e përmbushëm me sukses. Sot u luajt një volejboll i vërtetë. Pra, ky ishte Studenti që kërkoj.”
Në vijim, kreu i stolit të Studentit, ndërsa vlerësoi rivalin, theksoi se tashmë çdo gjë fillon nga e para. “Ne e kemi vlerësuar maksimalisht Tiranën në aspektin sportiv, – ka theksuar trajneri Ylli Tomorri. – Por, tashmë çdo gjë fillon nga e para. Megjithatë, edhe sikur të humbnim, për ne niste po nga e para. Nuk i humbëm shpresat. Kemi sakrifikuar mjaft deri tani dhe po marrim frytet. Finalja e radhës mbetet sërish e hapur, por, nëse luajmë me këtë grintë dhe dëshirë që shfaqëm sot, çdo gjë është e mundshme.”