AlbanianSport.com 11.01.2015 09:15
ASNN – Edhe këtë vit të ri, ambiciet e Studentit në volejboll për meshkuj janë të njëjta, përtej dëshirës së rivalëve. “Teuta, rival i hershëm dhe me lojtarë cilësorë e me shumë perspektivë nuk do të ketë ndonjë merkato, ndoshta edhe gabohem”, – ka deklaruar trajneri i kampionëve në fuqi të rrjetës shqiptare, Ylli Tomori.
“E vetmja skuadër që mund të afrojë dhe që ka dëshirë edhe patologjike për të mposhtur Studentin është Tirana, – ka vijuar ai. – Megjithatë, ne e vlerësojmë kundërshtarin se në këtë mënyrë respektojmë edhe veten. Kampionati do të jetë i fortë dhe me rivalitet, por do të fitojë ai që do të punojë më mirë, që menaxhon më mirë, që do të ketë lojtarë më të mirë.”
“Sigurisht nuk është rastësi që ne jemi pesë pikë para dhe nuk e di kush është në vend të dytë Tirana, Teuta apo Vllaznia. Pas humbjes me Tiranën në fillim të kampionatit, më pas ne i kemi të gjitha fitore dhe të pastra karshi rivalëve tanë si direkt dhe jo direkt”, – ka përfunduar trajneri i Studentit, Ylli Tomori.