Gjergj Vyshka 16.04.2016 15:20
Seti i dytë ka qenë “molla e sherrit” mes kuqebluve dhe gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Eduard Preka, i cili ka dhënë karton të kuq për Çekinin dhe trajnerin Kalaja. Ka protesta e tension, por më pas fundi paqësor. Vllaznia në fakt e ka nisur mirë ndeshjes, ndërsa vëllezërit Qafarena, Nikolini dhe Antoni, janë në maksimumin e tyre. Në pushimin e parë teknik është Vllaznia në epërsi 6-8, por ka përmbysur Tirana në 16-15, e cila e kontroll deri në fund ndeshjen në 20-17, 22-18, 24-18 dhe në fund 25-18.
Edhe në setin e dytë Vllaznia është përsëri në epërsi në pushimin e parë teknik 6-8. Madje udhëheq deri në 10-14, 11-16, 19-21 dhe 23-24. Tirana ka barazuar në 24-24, por ka protesta të shkodranëve për një top të dalë jashtë antenave. Dhe në fakt në setin e parë Çekini e kishte marrë një karton të verdhë për protesta, gjë e ka bërë edhe në të dytën. Dhe menjëherë vjen kartoni i kuq, që automatikisht është pikë për Tiranën, 25-24.
Shkodranët vazhdojnë protestat, Çekini ka hequr fanellën, ndërsa të tjerët janë tek gjyqtari. Proteston dhe trajneri Kalaja, i cili ka marrë edhe ai kartonin e kuq dhe 26-24 për Tiranën. Ndërrohen fushat, ndërsa Çekini është në lot dhe është e vështirë për ta qetësuar. Ka dhe një tentativë nga trajneri Kalaja, i cili është kthyer nga lojtari i tij: “Pse moj zemra ime, ka lojë sa të duash për ta kthyer. Nuk na duhen veprime të tilla.” Mirëpo Vllaznia e ka tashmë të vështirë të mblidhet.
Ndonëse gjen forca në setin e tretë, teksa përsëri në pushimin e parë teknik është në epërsi 7-8. Por Tirana kthen në 13-11, 16-13, 18-13, 20-17, 24-21 dhe në fund 25-21. Dhe Tirana është finaliste për titull kampion.
Tirana – Vllaznia 3-0 (2-0)
(25-18, 26-24, 25-21)
Tirana: Xhija, Kasemi (L), Pepa, Lundra, Rama, Ferhati, Ndoni / Batalli. Trajner: I. Koja
Vllaznia: K. Kola, Taflaj, Çekini, Miloti, A. Qafarena, N. Qafarena, R. Kola (L) / Gjoklaj, Tatar, Jukni. Trajner: A. Kalaja
Gjyqtarë: E. Preka, R. Mujo (Tiranë)
Ndihmës: A. Brokaj (Tiranë), R. Ekmekçiu (Elbasan)