Gjergj Vyshka 01.03.2016 12:35
Ndeshja Tirana-Vllaznia ka qenë më e bukura e ditës, kjo dhe për shkak të përmbysjeve të rezultatit që erdhi nga të dy skuadrat. Një ndeshje që është ndjekur jo vetëm nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, apo dhe anëtari i kryesisë Dashamir Brari dhe Sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola, por dhe nga shefi i klubit shumësportësh “Vllaznia”, Mark Krroqi, së bashku me Ardian Zaganjorin ish-drejtorin ekzekutiv të klubit të futbollit “Vllaznia”.
Dhe në përgjithësi të gjithë kanë dalë nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi” se ky është niveli i volejbollit shqiptar, shumë cilësor dhe i lartë për meshkujt. Vllaznia edhe pse ka luajtur pa organizatorin Tatar, me një gjendje shëndetësore jo të mirë, ia ka arritur që të fitojë dy setet e para me të njëjtin rezultat 21-25. Por vetëm kaq. Tirana kthehet si një “bishë” e tërbuar në fushën e lojës dhe duke shfrytëzuar dhe lodhjen e Vllaznisë, që të shtunën kishte luajtur në kampionat ndaj Teutës në Durrës.
Ndërsa bardheblutë kanë qenë pushim, arrin të përmbysë. Madje me rezultate me diferencë të mëdha në pikë, 25-10 dhe 25-15. Mirëpo finalja është e shkodranëve që në ndërrimin e fushave janë në epërsi 5-8 e më pas 6-10 dhe në fund 7-15 dhe 3-2 për Vllazninë, që kështu mban kreun. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Ferhati i Tiranës me 20 pikë i ndjekur nga Anton Qafarena i Vllaznisë me 17 pikë, si dhe Rama i Tiranës me 15 pikë dhe Nikolin Qafarena i Vllaznisë e Xhabrahimi i Tiranës me 13 pikë.
Në bllok ka dalë fitues Pepa i Tiranës me 4 mure të sakta i ndjekur nga Baruti i Tiranës me 3 mure të sakta. kurse në shërbim Jukni, Nikolin Qafarena dhe Rrashketa të Vllaznisë me 3 të sakta. Në total Tirana në 5 sete ka shënuar 99 pikë prej të cilave 73 vetë, kurse 26 pikë kanë ardhur nga gabimet e Vllaznisë. Në krahun tjetër Vllaznia në 5 sete ka pasur 90 pikë të shënuar në total nga të cilat 70 vetë, kurse 20 pikë kanë ardhur nga gabimet e bardhebluve, të cilët ndoshta nuk e kanë merituar humbje.
Por ja që Vllaznia nuk di të dorëzohet dhe ta lëshojë kreun edhe kur është në vështirësi.
Tirana – Vllaznia 2-3
(21-25, 21-25, 25-10, 25-15, 7-15)
Tirana: Xhabrahimi, Xhija, Kula, Rama, Ferhati, Pepa, Kasemi (L) / Batalli, Baruti, Kupi, Arapi. Trajner: I. Koja
Vllaznia: A. Qafarena, Jukni, N. Qafarena, Çekini, Rrashketa, R. Kola (L), Miloti / Tatar, Taflaj, Preka. Trajner: A. Kalaja
Gjyqtarë: A. Shehu, Ko. Gjoka (Tiranë)
Ndihmës: E. Papamihali, A. Brokaj (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 13-të
(29 shkurt-2 mars 2016)
Të hënën:
Farka Volej – Teuta 3-1
Tirana – Vllaznia 2-3
Skënderbeu pushim
Të mërkurën:
Elbasani – Studenti (ora 18:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Vllaznia 12 9 3 29-17 26
- Tirana 11 7 4 26-14 23
- Studenti 10 8 2 26-12 22
- Farka Volej 11 6 5 22-18 18
- Teuta 11 6 5 23-22 17
- Skënderbeu 11 2 9 8-28 6
- Elbasani 10 0 10 7-30 2