AlbanianSport.com 26.09.2014 07:55
ASNN – Studenti dhe Tirana janë finalistët e Kupës së Federatës në Volejboll për meshkuj, kurse kështu përsëritin të njëjtën gjë të një viti më parë. Atje ku në fakt, me shumë meritë, pat fituar Tirana e Arben Sakos. Për t’u evidentuar seti i parë në ndeshjen me Farka Volejin, që ka zgjatur plot 30 minuta.
Ashtu si më 10 tetor të 2013-s, Tirana-Studenti në volejboll për meshkuj do të jetë finalja e Kupës së Federatës, veprimtarisë së parë të sezonit sportiv 2014-2015 të volejbollit shqiptar. Kampionët në fuqi të rrjetës shqiptare dhe bardheblutë e Sakos kërkojnë trofeun e parë
Përveç se një “kopje” e finales së vjetshme të trofeut të FSHV-së në sallën numër dy të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, derbi ripërsërit edhe finalen e “play-off”-it për titullin “kampion”.
Nëse tek e para do të ngrinin krye bardheblutë e trajnerit Arben Sako kur për herë të fundit festonin titullin “kampion” në sezonin 1993-1994, në ndeshjet që vlenin sa gjithë sezoni ishte Studenti i trajnerit Ylli Tomori që bëri të fortin pas dy finaleve të “play-off”-it.
Atëherë formacioni universitar do të ngrinte lart titullin e tretë radhazi dhe të 13-in në histori e volejbollit të meshkujve. Por tashmë është një tjetër histori dhe fituesi i saj do të merret vesh sot në mbrëmje, po në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Ndeshja për vendin 3-4 Vllaznia-Farka Volej do të luhet sot në orën 17:00, ndërsa Tirana dhe Studenti do të zbresin në parket për trofeun e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit në orën 19:00.