Gjergj Vyshka 16.10.2015 08:05
Ndeshja e parë do të luhet më 12 nëntor në “Asllan Rusi” dhe pas rreth një jave në Serbi. Përvoja e djemve të Ylli Tomorit, të cilët më tetor 2013 kanë mundur Vojvodinën, 3-2, mund t’i sjellë suksesin. Studenti, kampionia në fuqi e volejbollit shqiptar, tashmë e ka mësuar kundërshtarin që do të ketë përballë në turin e dytë të “Challenge Cup”. Mbi bazën e shortit që ishte hedhur që në qershor, Studenti duhet të priste përfundimin e Kupës Ballkanike në volejboll për meshkuj, sepse do të ndeshej me fituesen e saj.
Dhe në këtë Kupë Ballkanike, e cila sipas informacionit që jep klubi i Studentit në faqen e saj zyrtare në internet është zhvilluar në Bijeljina të Bosnje-Hercegovinës, kanë marrë pjesë Radnik Bijeljina (Bosnjë), Bukureshti (Rumani), Beshiktashi (Turqi) dhe Spartaku (Serbi). Në përfundim të këtij turneu, skuadra serbe u shpall fituese e Kupës Ballkanike për vitin 2015, duke siguruar edhe një biletë për në arenën ndërkombëtare. Spartak Ljig fitoi 3-1 në gjysmëfinale ndaj Beshiktashit dhe 3-0 në finale ndaj Bukureshtit.
Ajo ka treguar se është skuadra më e mirë e këtij turneu. Sipas Federatës Evropiane të Volejbollit (CEV), ndeshja e parë me Studentin do të luhet në Tiranë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, më datën 12 nëntor 2015, kurse ajo e kthimit një javë më vonë në Serbi. Përvoja e djemve të Ylli Tomorrit, duke llogaritur edhe ndonjë përforcim të tipit Donald Suxhos, mund të japë edhe rezultate. Edhe sepse dy vjet më parë në Kupën Ballkanike, Studenti pat mund 3-2 Vojvodinën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.