AlbanianSport.com 28.09.2015 09:45
ASNN – Prej dy ditësh në Korçë, klubi shumësportësh “Skënderbeu”, që është nën pronësinë e Bashkisë më të madhe juglindore në vend, organizoi Kupën “Donald Suxho”. Ky aktivitet pati katër skuadra në duel Skënderbeun, Studentin, Vllazninë dhe Ilirinë e Zherovjanit.
Në ditën e parë Skënderbeun mundin Ilirinë e Zherovjanit, 3-2, ndërsa po me të njëjtin rezultat ka fituar dhe Studenti ndaj Vllaznisë. Përsa i përket ndeshjes finale, që u luajt dje për Kupën “Donald Suxho” në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla”, duhet theksuar se qysh nga emrat që ishin përballë fituesi dihej pa nisur mirë finalja.
Finalja e djeshme nuk kishte shumë histori, pasi kryeqytetasit brenda një ore mbyllin hesapet me Skënderbeun. Të tre setet kanë qenë fotokopje të njëra-tjetrës, teksa nga fillimi në fund kryeson Studenti dhe nuk vuri asnjë set në diskutim. 15, 16, 18, kanë qenë pikët që kanë shënuar korçarët në të tre setet.
Kësisoj, krejt ndeshja është fituar nga Studenti në sete. Ky është trofeu i parë për këtë sezon për Studentin, ndërkohë që për Vllazninë dhe Skënderbeun, kjo kupë ishte një test përpara sezonit të ri. Lojtari më i mirë i turneut u shpall Klaudio Qerraxhija i Studentit.
Skënderbeu – Studenti 0-3
(15-25, 16-25, 18-25)
Skënderbeu: Haxhillari, Caci, Ndardhari, Musaka, Shëllira, Beqiraj, Dhimitri, Adili, Sotiri. Trajner: A. Prifti
Studenti: Tukseferi, Kasa, Memia, Lundra, Çali, Malaj, Kono, L. Mërtiro, K. Mërtiro, Qeraxhia, Muça. Trajner: Y. Tomori
Gjyqtarë: R. Kuka (Vlorë), M. Kondakçi (Lushnjë)