Gjergj Vyshka 08.12.2016 09:35
Zirat Bankasi Ankara i ka dhënë “leksione” volejbolli Studentit në veçanti, por në tërësi dhe të gjithë rrjetës shqiptare të meshkujve. Një fitore e shpejtë dhe e pastër e turqve, të cilët jo vetëm që kanë korrur një sukses të thellë 3-0, por mbi të gjitha kanë pasur diferenca në pikët e seteve.
Një skuadër që ka pasur në gjirin e vet holandezë, amerikanë, italianë, por dhe lojtarë të kombëtares turke, nuk kishte se si të mos e mundte Studentit. Sepse i tillë është niveli i volejbollit shqiptar të meshkujve, që prej gati 5 vjetësh i ka humbur të gjitha ballafaqimet ndërkombëtare.
Madje, ashtu sikurse ka ndodhur dhe vitet e kaluara, Studenti ka marrë përforcime “hua” nga ekipet e tjera. Por si Koçi e aq më pak organizatori Deliu, të cilët kanë ardhur nga Farka Volej, kanë hyrë shumë pak në nivelin e lojës së Studentit. Kjo dhe për shkak të mënyrës se si e kishte ndërtuar skuadrën Sako.
Atje ku përsëri besoi në shpatullat e njoma të organizatorit Kupi, që kurrsesi nuk mund ta përballonte dhe këtë ndeshje ndërkombëtare. Zirat Bankasi Ankara fitoi, ndërsa e djeshmja është një tjetër këmbanë alarmi për atë çfarë gatuan realisht volejbolli shqiptar.
Që realisht, të paktën tek djemtë, krahasuar me nivelin ndërkombëtar, ka mbetur 26 vjet prapa.