Gjergj Vyshka 28.04.2016 12:00
Studenti është kampione e Shqipërisë në volejboll për meshkuj për herë të gjashtëmbëdhjetë. Jo vetëm kaq, por në sezonet e fundit numëron 5 tituj “kampion” radhazi dhe duke i shtuar edhe Kupën e Shqipërisë, apo dhe Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Studenti është skuadra që dominon rrjetën shqiptare për djem. E ka vërtetuar dhe dje këtë, teksa ka fituar përballë një Tiranë krejtësisht të dorëzuar, e cila vetëm mundohej të jepte ndonjë shkëndijë dhe asgjë më shumë.
Dhe në të tilla kushte, teksa të tre ndeshjet finale Studenti i ka fituar me shumë lehtësi, duhet pranuar se këtë vit kampionia e volejbollit të meshkujve është shpallur pa kundërshtar. Dhe kjo jo për faj të Studentit, që ia ka bërë “hyzmetin” trofeut deri në fund, por sepse Tirana nuk ka treguar asgjë nga vlerat e saj më të mira. Ka mbërritur deri në finale, por duket se është bërë pishman pse ka ardhur deri aty.
E kjo të vjen më shumë keq, sepse grupi që kishte aktualisht Tirana është ndër më të mirët dhe zor se mund t’i vijë ndonjëherë shansi bardhebluve për të qenë fitues të trofeut. Sepse edhe Studenti me luhatjet e veta gjatë gjithë sezonit nuk të krijonte përshtypjen se ishte dominuese. Por në fund falë përvojës dhe emrit u mblodh dhe e mësuar me trofe ia arriti qëllimit të ishte kampione. Një skuadër që e vërtetoi plotësisht shprehjen “kampion bëhesh, nuk lind…”