Gjergj Vyshka 19.12.2016 10:40
Dje në mesditë, në një numër minimal spektatorësh, thuajse zero, Studenti ka bërë një fitore “asgjëje” ndaj Teutës në ndeshjen e fundit të fazës eliminatore të Kupës së Shqipërisë. E eliminuar tashmë nga kjo veprimtari, edhe pse është fituese në fuqi sikurse dhe në Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Studenti dje është drejtuar nga ndihmëstrajneri Altin Demi dhe kapiteni Pepaj e Sejati, që nuk janë aktivizuar.
Sikurse nuk ka qenë fare lojtari i lirë, Bërdufi, që dje është zëvendësuar nga Muça. Dhe ndërkohë, parë kështu, trajneri Sako nuk ka komunikuar me skuadrën. As në pushime e as në fillimet e setit për ndonjë udhëzim, tek-tuk ndonjë këshillim me Barutin, por në pjesën më të madhe të ndeshjes ka qëndruar ulur në stol, duke u marrë praktikisht me punët e tij.
E ndërkohë, në krahun tjetër, tek Teuta nuk ka luajtur as Bardhi e as Kolea e vetëm Biduli ishte titullari që u mundua të orientonte të rinjtë e skuadrës durrsake. Përfundimet e seteve nuk kanë nevojë për shumë koment; 25-9, 25-15, 25-12 në një ndeshje që ka përfunduar për gati një orë. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Xhabrahimi i Studentit, me 18 pikë.
Në bllok ka triumfuar Kula i Studentit me 3 mure fituese, kurse në shërbim Çullhaj i Studentit, me 6 rezultative. Në total, në 3 sete, Studenti ka shënuar 75 pikë, prej të cilave 60 pikë vetë, kurse 15 pikë kanë ardhur nga gabimet e durrsakëve. Në anën tjetër, Teuta ka realizuar 36 pikë në 3 sete, prej të cilave 16 pikë vetë, kurse 20 pikë kanë ardhur nga gabimet e Studentit, që në një fitore të pavlerë ka falur mesatarisht 7 pikë për set.
Studenti – Teuta 3-0
(25-9, 25-15, 25-12)
Studenti: Xhabrahimi, Lundra, Çullhaj, Bardhi, Kupi, Muça (L), Kula. Trajner: A. Sako
Teuta: Biduli, Xhafa, Bushpepa, Shaba, Çuçi, Jazenxhi, Macaj (L) / Masha. Trajner: L. Marangoni
Gjyqtarë: E. Dusha, E. Kurti (Tiranë)
Kupa e Shqipërisë 2018
Volejboll – Meshkuj
Kalendari i fazës eliminatore:
Grupi A
Dita e parë
(16 dhjetor 2016)
Farka Volej – Teuta 3-0
(25-12, 25-21, 25-14)
Partizani – Studenti 3-0
(25-17, 25-15, 25-21)
Dita e dytë
(17 dhjetor 2016)
Partizani – Teuta 3-0
(25-12, 25-14, 25-17)
Farka Volej – Studenti 3-1
(19-25, 25-19, 25-17, 25-21)
Dita e 3-të
(18 dhjetor 2016)
Studenti – Teuta 3-0
(25-9, 25-15, 25-12)
Partizani – Farka Volej 3-0
(25-20, 25-19, 25-21)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Partizani 3 3 0 9-0 9
- Farka Volej 3 2 1 6-4 6
- Studenti 3 1 2 4-6 3
- Teuta 3 0 3 0-9 0
Gjysmëfinalet:
Partizani – Erzeni
Farka Volej – Vllaznia