AlbanianSport.com 27.04.2016 20:55
ASNN – Studenti ka triumfuar në finalen e “play-off”-it ndaj Tiranës, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 3-0, dhe duke siguruar titullin e 5-të radhazi dhe të 16-ti gjithsej në volejbollin shqiptar të meshkujve. Të gjitha emocionet e këtij “play-off”-i final u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar si dhe në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2.
Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka luajtur të mërkurën në mbrëmje aktin e tretë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion”, që ka vënë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që rivalizojnë në këtë vitet e fundit, Studentin dhe Tiranën. Dhe “rrjeta” e meshkujve e kurorëzuar mbrëmë kampionen e re, pasi Studenti i drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri, i cili i kishte fituar dy takimet e para, ka vijuar të mos gabojë, duke e fituar edhe ndeshjet e tretë me rezultatin 3-1 dhe duke u shpallur “kampione” e Shqipërisë.
Siç dihet “play-off”-i final konsiston në 5 ndeshje dhe skuadra që fiton 3 prej tyre shpallet “kampione”. Sfida e së mërkurës, që u luajt në sallën qendrore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar si dhe në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2, paraqiste shansin e fundit për bardheblutë e drejtuar nga trajneri Ilo Koja, për të mbajtur gjallë shpresat e tyre të vakëta për titullin “kampion”.
Por, nuk ka ndodhur kështu, sepse Studenti e ka fituar setin e parë 25-17 dhe, ndonëse Tirana fiton të dytën 25-23, skuadra e trajnerit Tomori fiton dy të tjerët, përkatësisht 25-16 dhe 25-15, dhe gjithë takimin 3-1. Ky ishte titulli i 5-të radhazi dhe i 16-ti gjithsej për Studentin, ndërsa kapiteni i kësaj skuadre, Elton Tukseferi, ka ulur siparin e karrierës së tij në moshën 41-vjeçare.