Gjergj Vyshka 22.12.2016 12:55
Studenti del bllof edhe në kthim në Ankara. Skuadra e Sakos ka shënuar më tepër pikë se në ndeshjen e parë të luajtur para dy javësh në “Asllan Rusi”, por humbja nuk është shmangur duke shënuar një tjetër minus në arenën ndërkombëtare për volejbollin. Turqit nuk kanë lënë vend për shumë diskutime, ndërsa që në setin e parë janë vënë në udhëheqje të rezultatit, teksa kanë kryesuar 8-3, 16-8, 21-13 dhe në fund 25-16.
Po kështu dhe në të dytin 8-3, 16-9, 21-13 dhe përfundim 25-18 për turqit. E njëjta histori dhe në setin e tretë 8-3, 16-7, 21-11 dhe 25-15 edhe e gjithë ndeshja 3-0 për Zirat Bankasi Ankara. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Ruverdijk i ZB Ankarasë, me 13 pikë, i ndjekur nga dy bashkëlojtarë të tij, Enaboifo me 11 pikë dhe Shahin me 10 pikë.
Për Studentin, më i miri ishte Emiljano Xhabrahimi, me 8 pikë, i ndjekur nga Lundra me 5 dhe Koçi me 4 pikë. Në bllok ka dalë fitues Asmend Kula i Studentit me dy mure të sakta, i ndjekur nga Ruverdijk, Van Dijk dhe Sahin të Zirat Bankasi Ankara, por dhe Pepaj i Studentit, me nga një mur fitues. Në shërbim ka dalë fitues Enaboifo i Zirat Bankasi Ankara me 3 rezultative i ndjekur nga Jëllmaz dhe Van Dijk, me nga 2 rezultative.
Në total, në 3 sete Zirat Bankasi Ankara ka realizuar 75 pikë, prej të cilave 65 pikë vetë, kurse 10 pikë kanë ardhur nga gabimet e Studentit. Në anën tjetër, Studenti në 3 sete ka shënuar 49 pikë në total, prej të cilave 30 pikë vetë, kurse 19 pikë kanë ardhur nga gabimet e turqve, që mesatarisht kanë falur nga 6 pikë për set. Por në fund janë ata fituesit e padiskutueshëm.
Zirat Bankasi Ankara – Studenti 3-0
(25-16, 25-18, 25-15)
Zirat Bankasi Ankara: Ruverdik, Shahin, Van Dijk, Enaboifo, Dagçi, Jëllmaz, Done (L). Trajner: F. Munjoz Benitez
Studenti: Kupi, Rama, Pepaj, Xhabrahimi, Koçi, Kula, Berdufi (L) / Deliu, Lundra, Baruti, Çullhaj. Trajner: A. Sako
Gjyqtarë: K. Luts (Belgjikë), L. Kraloviç (Sllovaki)