Gjergj Vyshka 18.03.2016 15:15
Stojan Vuldjev, një nga bullgarët që Studenti në volejboll për meshkuj kishte afruar gjatë merkatos së dimrit, e ka humbur tashmë sezonin. Dëmtimi që ka pësuar në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës në Shkodër, të paktën edhe sipas doktorit sportiv Mel Ostreni, është shumë-shumë i rëndë.
“Dëmtimi, – thotë Ostreni për “Sport Ekspres”, – është shoqëruar me ndrydhje të gjurit, këputje të ligamentit të kryqëzuar, si dhe çarje të meniskut. Për rrjedhojë, ai do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në Sofje nga doktori i kombëtares së Bullgarisë në volejboll për meshkuj dhe vetëm në tetor mund të rikthehet në parket.”
Parë kështu, teksa në vizitën e fundit tek Ostreni ka qenë i shoqëruar nga kapiteni i Studentit, Elton Tukseferi, dhe volejbollisti tjetër, Arbër Troka, që nga e mërkura, Stojan Vuldijev është kthyer në Bullgari. Dhe kjo është një humbje e konsiderueshme për skuadrën e Ylli Tomorrit që pas Kupës kërkon dhe titullin “kampion”.