AlbanianSport.com 11.01.2015 19:55
ASNN – Në vijim të replikës me homologun e tij te Studenti, Ylli Tomori, trajneri i bardhebluve të Tiranës në volejboll për meshkuj, Arben Sako, ka deklaruar: “Kundërshtarët tanë në sport ne nuk i shikojmë si të “sëmurë patologjik” për vendet e para, por si ekipe sportive rivale në volejboll, për rritjen e cilësisë përfaqësuese të volejbollit tonë si brenda vendit, për të afruar më tepër të rinjtë në stërvitje dhe sportdashësin në shkallët e sallave sportive.”
Sipas tij, Bashkia e Tiranës ka mundësuar të gjitha kushtet për stërvitje normale. “Mbështetja e gjithanshme e Bashkisë dhe klubit të Tiranës ka bërë të mundur stërvitjen në kushte optimale të ekipit, si dhe stërvitjen edhe të ekipeve zinxhirë e jo në “ilegalitet”, por me mjedis stërvitjeje, trajner dhe program të miratuar, – ka vijuar Sako, duke folur për të përditshmen sportive shqiptare “Panorama Sport”. – Serioziteti me të cilin po punojmë, objektivat që i kemi vënë vetes dhe rezultatet e arritura i kanë dhënë mundësinë ekipit të ketë donatorë që po kontribuojnë.”
“Sigurisht të detyruar nga kushtet, edhe struktura që na ofron kampionati, si dhe aleancat fluide ndërmjet pseudoaktorëve të volejbollit shqiptar, që për interesa që vetëm me volejbollin nuk kanë të bëjnë, e që po e gërryejnë volejbollin shqiptar dita ditës, – ka këmbëngulur trajneri i Tiranës, Arben Sako. – Jam e do të jem këmbëngulës në zhvillimin e kampionatit vetëm me lojtarë shqiptarë. Kjo u jep mundësinë të gjithë lojtarëve të aktivizohen me skuadrat e tyre dhe jo t’i shikojnë ndeshjet nga tribunat e spektatorëve, siç është vepruar deri më sot.”