AlbanianSport.com 25/03/2019 17:10
ASNN – Trajneri i Erzenit në volejboll për meshkuj, Arben Sako, është shprehur se skuadra e tij do të marrë pjesë këtë edicion në kupat e Evropës. Nuk dihet nëse do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve apo “Challenge Cup”, por e sigurt është se shijakasit janë duke menduar seriozisht të luajnë në Evropë në sezonin e ri.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen sportive shqiptare “Panorama Sport”, Sako tha se ndryshe nga sezoni i kaluar, këtë edicion Erzeni po e mendon seriozisht pjesëmarrjen në Evropë dhe kjo ngaqë është shumë pranë titullit “kampion” në kampionatin elitar të meshkujve. Sako nuk specifikoi veprimtarinë ku Erzeni do të marrë pjesë, por prania nuk vihet në diskutim.
“E them me bindje që, nëse arrijmë të shpallemi “kampionë”, gjë që e dëshirojmë të gjithë ne, ashtu sikurse dhe populli i Shijakut, ju siguroj që Erzeni do të jetë pjesëmarrës në kupat e Evropës, – u shpreh trajneri i Erzenit Arben Sako. – Nëse do të jemi në Ligën e Kampioneve apo në “Challenge Cup” këtë nuk mund ta them që tani, por ajo që është e sigurt është se do të marrim pjesë në garat ndërkombëtare.”
Më pas Sako foli për nivelin e kampionatit dhe peshën që ka ai në skuadrën kombëtare. “Mund të flas gjerësisht për nivelin e volejbollit të meshkujve në Shqipëri, pasi kam 16 vjet në drejtim të kombëtares së Nën-20-vjeçarëve, – theksoi në tej Sako, – i gjithë produkti i Kombëtares së të rriturve ka dalë nga kjo skuadër. E them pa modesti që volejbolli i meshkujve ka një rritje cilësore shumë të lartë.”
“Gjë që e tregoi dhe në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian, ku skuadra që drejtohet nga trajneri Jani Melka nuk ia doli të kualifikohet për vetëm një set, – vijoi ai. – Kombëtarja e meshkujve është pasqyrë e qartë e kampionatit shqiptar, i cili në 4-5 skuadrat e para ka një rivalitet shumë të lartë. Ndërkohë, afrimi i lojtarëve të huaj ka ndikim pozitiv, pasi ata sjellin këtu profesionalizmin e tyre dhe të skuadrave nga vijnë.”