Gjergj Vyshka 01.10.2016 08:50
Partizani i volejbollit të meshkujve, i rikthyer në parket pas 12 vjetësh mungesë, dje ka folur në parket me fanellë. Edhe pse ka qenë derbi me Tiranën, për shkak të mefshtësisë së bardhebluve, kjo ndeshje nuk është shfaqur ashtu sikurse pritej. Pra nuk ka pasur rivalitet me përjashtim të faktit që setin e tretë, atëherë kur të gjithë e mendonin se do të ishte një fitore 3-0 për Partizanin, e ka fituar Tirana. Në pjesën tjetër të ndeshjes, Partizani ka bërë gjithçka mirë, atje ku ai që merr përsipër ta nxjerri fitues është skuadrën është vetëm Arbër Troka.
27 pikë të shënuar me sulm, duke qenë ai pikëshënuesi i ndeshjes, dhe tre pikë të shënuara me bllok, në total 30, mjafton të thuash që mbetet shpirti i skuadrës. Nuk duhet harruar Arapi, i cili herë si diagonalist e më pas si organizator, ka bërë gjithçka mirë, duke rënë në sy me 9 pikët e shënuara me sulm dhe dy me bllok. Po kështu Qerraxhija 9 pikë me sulm dhe dy me bllok e pa harruar këtu Malajn e të tjerët. Tek Tirana, edhe për shkak të një dite jo të mirë të organizatorit Xhija, gjërat nuk janë si në Kupën e Federatës.
E megjithatë Ferhati me 15 pikë me sulm dhe tre bllok e Gaxiri 15 pikë me sulm dhe një me bllok e me shërbim e kanë mbajtur në lojë Tiranën, ashtu sikurse ka bërë dhe Batalli e Ndoni, apo dhe Gega e Peçi. Nervozizmi i Tiranës, sidomos në setin e katërt kur kundërshtimet ndaj gjyqtarit Shehu kanë dhënë dhe kartonin e verdhë ndaj Ferhatit, ka ndikuar në cilësinë e lojës. E megjithatë Partizani ka ditur ta marrë trepikëshin e parë të kampionatit.