AlbanianSport.com 25/11/2018 20:40
ASNN – E kanë mbyllur fazën e parë të sezonit në krye të renditjes, me 22 pikë, po aq sa ka edhe Erzeni, por, për më tepër, pa e shijuar humbjen, pasi kanë marrë 8 fitore në po aq ndeshje, ndërsa u kanë shkaktuar shijakasve humbjen e vetme.
Dhe, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com, kapiteni i kuqebluve, Nikolin Qafarena ka bërë një analizë të shkurtër të skuadrës shkodrane këtë sezon, duke veçuar funksionimin e gjithë Vllaznisë si një ansambël të përsosur.
Po kështu, ish-volejbollisti i Kombëtares, i cili është edhe vëllai i madh i volejbollistit të tjetër të talentuar shkodran, Anton Qafarenës, vlerëson punën e bërë nga trajneri Ermal Kraja, ndërsa vlerëson edhe rivalet për titull këtë sezon.
– Çfarë ka kjo Vllazni që e mbylli 100 % fazën e parë?
– Kjo Vllazni ka një grup lojtarësh shumë të mirë, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer, bashkë me stafin drejtues, që nga fillimi kur është grumbulluar ky ekip, dhe, jo më kot, jemi në vend të parë ose, më mirë më pëlqen ta them, “kampionë dimri”, me 100% fitore.
– Nëse do të përmirësonit diçka nga kjo skuadër, çfarë do të ishte ajo?
– Të them të drejtën, tek kjo skuadër nuk është se kam ndonjë gjë për të përmirësuar, sepse e kanë kryer më së miri detyrën gjithsecili prej shokëve të ekipit. Përveç kësaj, edhe puna e bërë nga trajneri i ekipit Ermal Kraja ka qenë shumë e mirë.
– Cilat shihni si skuadrat e mundshme për 4-shen finale dhe pse…?
– Skuadrat në 4- she finale shoh Vllazninë, Erzenin, Tiranën edhe Partizanin, pa lënë pas dore edhe Skënderbeun, i cili jo më kot e mbylli fazën e parë në vendin e 4-t dhe ka bërë progres shumë të mirë. Por kuptohet, duke patur parasysh edhe merkaton në vazhdim, nuk mendoj se Partizani vështirë të dorëzohet kaq lehtë.
– Nëse do të kishit mundësi të na i jepnit me përqindje … cilat janë përqindjet e çdo skuadre për titullin “kampion”…?
– Shiko, përqindje të sigurt nuk është se kam për momentin, por diçka për të cilën mund t’ju siguroj, është se do të jetë një garë shumë interesante sportive, deri në fund te kampionatit.