Gjergj Vyshka 22.04.2017 20:00
Mbrëmë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” kanë qenë të pranishëm tre arabë, të cilët kanë qëndruar nën shoqërinë e trajnerit të Partizanit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomori, por dhe ndihmësit të tij Elton Tukseferi, apo dhe lojtarëve Blerim Memia dhe Hendi Kono.
Në fakt, në janar të 2016-ës, ndërsa Tomori ishte trajneri i Studentit, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, është luajtur Kupa “Conad”, me pjesëmarrjen e ekipit Al-Xhazira të Abu Dabit. Ndoshta të 3 këta arab, që ishin dhe nën shoqërinë e Fatmir Hajdinit, mund të kenë ardhur për të rivendosur lidhjet tashmë me Partizanin në volejboll për meshkuj.
Kanë qëndruar për një pjesë të mirë të ndeshjes e më pas janë larguar. Ndërkohë, Hamdi Salihi është shansi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj, ndërsa mbrëmë ka qenë i pranishëm në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet për ndeshjen e parë të finales së “play-off”-it.
Në fakt Salihi është dhëndërri i trajnerit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë, njëkohësisht Shefi i Klubit Shumësportësh, Mark Kroqi. Ndaj dhe ka qenë i pranishëm, së bashku me bashkëshorten e Mark Kroqit. E Salihi, sikurse me golat e tij tek Skënderbeu, dje ka qenë shansi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj.