ASNN – Në ndryshim nga ballafaqimi i volejbollisteve femra, ku në Shkodër fituan mikeshat nga Tirana me rezultat të pastër 0-3, ai i meshkujve ka dhuruar të tjera emocione. Në fund ka qenë Vllaznia e cila ka fituar dhe që është hakmarrë për atë humbje të papritur me Tiranën të vajzave.
Meritë për këtë kanë volejbollistët shkodranë, që jo vetëm që u duartrokitën nga tifozët kuqeblu, por dhe kanë fituar me shumë bukuri 3-1. Fitores të realizuar mbrëmë, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, në fakt i kishte paraprirë edhe një deklaratë entuziaste dhe me plot besim nga trajneri I kuqebluve, Mark Krroqi.
Ai ishte i bindur në suksesin e djemve të tij. Madje sipas tij, gjë që në fakt e përsëriti në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes, me kolaudimin dhe rritjen e formës sportive nga java në javë, skuadra kuqeblu tani e prapa do të shikojë vetëm drejt fitoreve të tjera.
Forcën e Vllaznisë pati rastin ta provojë edhe skuadra e drejtuar nga Ilia Koja, pasi miqtë nga Tirana, përpos setit të tretë që arritën ta fitojnë 21-25, në të tjerat dështuan. Kuqeblutë fituan setin e parë në pikët shtesë 26-24. Më pas në të dytin 25-22 dhe në të katërtin 25-14 dhe krejt ndeshja 3-1.
Vllaznia – Tirana 3-1
(26-24, 25-22, 21-25, 25-14)
Vllaznia: N. Qafarena, Çekini, A. Qafarena, Miloti, Jukni, Rrashketa, K. Kola, R. Kola (L) / Gjoklaj, Taflaj, Lloshi, Drinazi. Trajner: M. Kroqi
Tirana: Ferhati, Kasemi (L), Ndoni, Xhija, Gega, Gaxiri, Sotiri / Peçi, Joanidhi (L), Zeqiraj, Sheldija, Batalli. Trajner: I. Koja
Gjyqtarë: E. Zguri, E. Zenullari (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 6-të
(4-5 nëntor 2016)
Të premten:
Studenti – Partizani 0-3
Të shtunën:
Skënderbeu – Erzeni 0-3
Elbasani – Teuta 2-3
Vllaznia – Tirana 3-1
Farka Volej pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Partizani 5 5 0 15-1 15
- Farka Volej 5 4 1 13-5 12
- Studenti 5 4 1 12-7 11
- Erzeni 5 3 2 12-6 10
- Tirana 6 3 3 12-10 9
- Vllaznia 5 3 2 10-8 9
- Skënderbeu 6 1 5 3-16 3
- Teuta 6 1 5 5-17 2
- Elbasani 5 0 5 3-15 1