Gjergj Vyshka 06.05.2016 07:55
Mosmirënjohja tek shqiptarët duket se është në shkallën maksimale edhe atëherë kur ke vetëm një javë që e ke shpallur “kampion” të Shqipërisë një skuadër të caktuar. Kështu ka ndodhur me klubin shumësportësh “Studenti”, ndërsa nga burime të mirinformuara është mësuar se ka ardhur shkarkimi, apo ndërperja e marrëdhënieve të punës me trajnerin e volejbollit të meshkujve, Ylli Tomorri.
Që do të thotë se 35 vjet punë të tij me këtë ekip, që nga 1981 kur ka nisur karrierën e trajnerit pasi kishte lënë volejbollin e luajtur me Partizanin, janë shumëzuar me “zero” me një të rënë të lapsit. Ashtu sikurse janë shumëzuar me “zero” 16 titujt “kampion” të kësaj skuadre, i fundit në sezonin 2015-2016, 17 Kupa të Shqipërisë i fundit në sezonin 2015-2015 dhe 5 Superkupa të Shqipërisë.
E jo vetëm kaq, por të paktën në 20 vitet e fundit me pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare Studenti ishte imazhi më i mirë për volejbollin shqiptar. Por… “Më kanë lajmëruar, – thotë Tomorri me keqardhje, – nëpërmjet një mesazhi që janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me mua, sepse është afruar mosha e pensionit. Normalisht duhet të më kishin lajmëruar dy javë përpara dhe jo vetëm kaq, por duhet të më kishin dhënë një muaj leje vjetore, e cila më takon me Kodin e Punës.”
“Unë pres që të më thërrasin dhe zyrtarisht që të ma thonë këtë vendim, sepse duhet ta dinë që nuk qëndroj më. Nuk pres të më thonë as faleminderit, sepse për mua do të ishte fyerje. E kam marrë faleminderit nga lojtarët, nga publiku dhe nga media, sepse të gjithë e dinë që imazhi më i mirë i volejbollit shqiptar është Studenti. Por jo kaq të ngushtë, sepse më kanë shkarkuar si Zhukovi në ajër”.