ASNN – Në përfundim të ndeshjes me Hungarinë, që është humbur në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova”, trajneri i Shqipërisë në volejboll për meshkuj, Jani Melka, është shfaqur i pakënaqur. I pari i stolit kuqezi ka pranuar gabimet, ndërsa ka treguar se në ndeshjen ndaj Kroacisë kjo kombëtare do të jetë më mirë. “Në përgjithësi, – thotë Melka, – jam unë i pari që mbaj përgjegjësi për ato gabime që janë bërë.”
“Na kanë krijuar probleme veçanërisht me pasimin e shkurtër në qendër, atje ku nuk ishim në gjendje për t’i bllokuar, – ka vijuar ai. – Janë shfaqur më mirë se në ndeshjen e parë e për rrjedhojë, edhe pse rikuperuam, nuk mundëm të fitonim. Besoj se kjo skuadër ndeshje pas ndeshjes do të rritet dhe ndaj Kroacisë do të jemi ndryshe”. Ndërsa homologu i tij, ka zbuluar edhe diferencat midis Tiranës dhe Budapestit.
Trajneri i Hungarisë në volejboll për meshkuj, Bogdan Tanase, ka treguar se skuadra që ai drejton kishte tjetër motivim në Tiranë. “Ne kishim ardhur për të fituar, – thotë Tanase. – Në ndeshjen e parë të luajtur në Budapest u munduam të eksperimentonim, por nuk ia dolëm dhe Shqipëria fitoi. Sot kishim të tjera shanse. Ky është ekip i ri, që po vjen në rritje nga ndeshja në ndeshje. Dhe i dha frytet e veta sot.”