Gjergj Vyshka 23.04.2016 10:25
Trajneri: “Deri më tani kam marrë përgjigje pozitive nga Enea Xhelati dhe Gazmend Husaj, por do të kemi edhe talentin e kampionatit grek, Sajmir Shurdhi. Do të jetë një përfaqësuese me një gërshetim të lojtarëve të përvojës dhe atyre të rinj për të menduar perspektivën e saj.” Nga trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Jani Melka, është mësuar se më 5 maj do të nisë grumbullimi zyrtar i kësaj përfaqësueseje në Durrës.
“Ne jemi në kontakte me Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi prej të cilave kemi marrë dhe oferta për ndeshje miqësore, – ka deklaruar ai për mediat. – Kam folur dhe me Greqinë, meqenëse është pjesëmarrëse në Ligën e Evropës ashtu sikurse ne. Sa për lojtarët që luajnë jashtë kemi marrë përgjigje pozitive nga Enea Xhelati dhe Gazmend Husaj. E po kështu do të jetë pjesë e kombëtares dhe Sajmir Shurdhi.
“Ai u shpall dhe talenti i kampionatit grek vitin e kaluar”, – shtoi Melka. Ndërkohë i pari i stolit kuqezi ka dhënë dhe vlerësimin e tij për kundërshtarët: “Maqedonia është kundërshtar i fortë. Bullgaria është shkollë e volejbollit dhe është e qartë që në Ligën e Evropës do të marrë pjesë me ekipin e dytë, sepse të parin e ka të angazhuar në Ligën e Botës. Danimarka mbetet për t’u parë”.
Mbilodhja për shkak të sezonit? “Unë jam i kënaqur nga faza përfundimtare e kampionatit, – ka thënë ai. – Kemi qenë në ndeshjen e “play-off”-it dhe nuk mendoj që do të ketë mbilodhje nga lojtarët, përkundrazi do të jetë për ta kënaqësi që do të marrin pjesë në përfaqësuese. Volejbolli luhet me shtatë lojtarë. Do të ketë një gërshetim mes të huajve, ku tre do të jenë të sigurt.”
“Por baza do të jetë nga kampionati shqiptar”, – ka përfunduar trajneri i kombëtares së meshkujve, Jani Melka.
Liga e Evropës
Volejboll – Meshkuj
Kalendari i ndeshjeve të turit të parë
(Varna – Bullgari)
Dita e parë
(10 qershor 2016)
Shqipëri – Maqedoni ora 15:00
Bullgari – Danimarkë ora 18:00
Dita e dytë
(11 qershor 2016)
Maqedoni – Danimarkë ora 15:00
Bullgari – Shqipëri ora 18:00
Dita e tretë
(12 qershor 2016)
Shqipëri – Danimarkë ora 15:00
Bullgari – Maqedoni ora 18:00