AlbanianSport.com 12.10.2014 13:45
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka ngritur siparin e sezonit të tij të ri, me ndeshjet e javës së parë, të cilat janë zhvilluar dje. Siç dihet, në këtë sezon të rrjetës shqiptare të meshkujve marrin pjesë 7 skuadra, që më konkretisht janë Vllaznia, Teuta, Farka Volej, Elbasani, Studenti, Tirana dhe Skënderbeu.
Në takimet e zhvilluara gjatë gjithë ditës së djeshme, Vllaznia është mundur në shtëpi me rezultatin 1-3 nga Teuta, skuadra e cila rikthehet në kampionat pas një viti pezullim nga ana e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Durrsakët u dënuan për shkak të ngjarjeve të finales së kampionatit të para dy sezoneve me Studentin.
Ky i fundit, që vjen si “kampion” në fuqi, nuk ka mundur të hakmerret ndaj Tiranës për humbjen para më shumë se dy javësh në finalen e Kupës së FSHV-së, ku bardheblu patën fituar 3-2 midis polemikave.
Skuadra e trajnerit Ylli Tomori është mundur edhe dje nga rivalja kryeqytetase, me rezultatin 3-1. Këto rezultate kanë bërë që kreu i renditjes pas javës së parë, t’i përkasë modestëve të Farka Volejit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri pasionant, Dritan Bardhi, ka mposhtur në 3 sete në kryeqytet Elbasanin, duke i bërë kështu një nisje pozitive atij që është vetëm sezoni i dytë i kësaj skuadre në elitën e të rriturve të volejbollit shqiptar.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e parë
(11 tetor 2014)
Vllaznia – Teuta 1-3
Farka Volej – Elbasani 3-0
Studenti – Tirana 1-3
Skënderbeu pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Farka Volej 1 1 0 3-0 3
- Teuta 1 1 0 3-1 3
- Tirana 1 1 0 3-1 3
- Studenti 1 0 1 1-3 0
- Vllaznia 1 0 1 1-3 0
- Elbasani 1 0 1 0-3 0
7. Skënderbeu 0 0 0 0-0 0