Gjergj Vyshka 03.03.2017 12:05
Atmosferë e ndezur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” nga tifozët e Partizanit, por dhe nerva në setin e tretë mes të dyja ekipeve. Pushimi i dytë teknik i setit të tretë nuk është zhvilluar plotësisht. Memia është parë të drejtohet tek stoli i Vllaznisë, atje ku kanë nisur dhe keqkuptimet e ndihmëstrajnerit të kuqebluve, Fatjon Ademi dhe Kreshnik Malajt.
Janë afruar të gjithë lojtarët, por me ndërhyrjen e stafeve përkatëse, ndonëse ka qenë e vështirë për t’u qetësuar situata, lojtarët janë ndarë. Ndërkohë në mbështetje të Kreshnik Malajt kanë ardhur dhe familjarët e tij, që në fakt janë ndalur nga policia. Gjyqtarët Konals Gjoka dhe Endri Zguri janë kokë më kokë.
Dhe vjen ndëshkimi me karton të kuq për ndihmëstrajnerin e Vllaznisë, Fatjon Ademin, dhe lojtarin e Partizanit, Kreshnik Malaj. Për t’u evidentuar është se ka pasur një paqe mes Memisë dhe ndihmëstrajnerit të Vllaznisë, Ademi, sikurse ka bërë dhe Çekini me Jani Malajn, një ish-lojtar i Tiranës për të rinj dhe me shumë cilësi, që është dhe vëllai i Kreshnik Malajt.
Dhe rezultati shkon në 14-17 për Vllazninë, e cila nuk e ul ritmin; 15-21, 18-22 dhe fundi i setit të tretë shënon shifrat 20-25 për Vllazninë. Partizani është “lëshuar” pa duar në setin e katërt dhe duke udhëhequr gjithnjë, arrin të fitojë 25-15, duke vijuar të luftojë dhëmb për dhëmb në të 5-tin dhe duke e fituar gjithë finalen me rezultatin e përgjithshëm 3-2 dhe bashkë me të edhe trofeun.