Gjergj Vyshka 26.09.2016 09:45
Farka Voleji ka shkruajtur emrin e saj në librin e artë të Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndërsa është bërë dje në mbrëmje vonë në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” fituese për herë të parë. Një finale e fituar me përmbysje, nga 0-2 për Tiranën në 3-2 për Farkën, tregon solidaritetin e grupit të Dritan Bardhit, që të pamundurën e kthen në të mundur atëherë kur askush nuk e parashikon.
Redi Koçi dhe Metani, por dhe Qepa, pavarësisht se ka hyrë në lojë me shumë vonesë, apo dhe Nimani e Bajrami, nën dirigjimin e Deliut, shpeshherë dhe ulërimave të trajnerit Bardhi për shkundje të skuadrës, e kanë bërë Farka Volejin në mënyrë të merituar fituese të Kupës së Federatës.
Tirana, që dje ka demonstruar në shtrirje të lojës jo vetëm tek Ferhati, por dhe tek Gaxini e Gega, apo dhe Peçi, edhe për shkak të lodhjes së gjysmëfinales me Vllazninë, nuk ka mundur të marrë më shumë se dy sete. Ndonëse më me pak vendosmëri mund ta kishte mbyllur këtë finale në setin e katërt. Megjithatë një finale e denjë, emocionet e së cilës i kanë mbajtur gjatë të apasionuarit e volejbollit në “Asllan Rusi”, edhe pse në “Elbasan Arena” luhej derbi i kryequtetit Partizani-Tirana.
Në fund presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti Dashamir Brari, si dhe anëtari i kryesisë Sokol Halili e sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola kanë dorëzuar kupën duke i hapur rrugën kampionatit që nis këtë javë.