Gjergj Vyshka 07.02.2015 09:20
Djemtë e Bardhit, jo vetëm që kanë dhuruar një ndeshje të bukur, por kanë shtangur Tiranën. Fituesve në fuqi të Kupës së Shqipërisë u ka hasur “sharra në gozhdë” përballë Teutës. Gjigante Farka Volej! Djemtë e Dritan Bardhit, jo vetëm që kanë dhuruar spektakël në parket dhe në shkallët e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, por e kanë shtangur Tiranën e Arben Sakos.
U janë përgjigjur “dhëmb për dhëmb” bardhebluve, të cilët kishin menduar se me dy përforcimet e ardhura nga jashtë Shqipërisë, pikërisht ukrainasi Pashkin dhe malazezi Medenica, jo vetëm që do të kalonin Farka Volejin, por do të ishin një rivale e fortë për Studentin.
Mirëpo fundi i një loje prej më shumë se dy orësh me 5 sete dhe me shumë ankth e emocione, duke i mbërthyer të gjithë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ka nxjerrë fitues Farka Volejin, e cila me atë formë që ka paraqitur në fushën e lojës dje ndaj bardhebluve, mund dhe duhet të jetë surprizë sot ndaj Studentit.
Ajo që duhet pranuar është se fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, pra skuadra e Ylli Tomorrit, ka fituar dje ndaj Teutës falë përvojë së gjatë të të fituarit të trofeve. Sepse në të vërtetë i ka hasur “sharra në gozhdë” me durrsakët dhe mundet të kishte dhe surpriza. Por në fund ia kanë dalë.
E sot pritet që të jetë një finale e ethshme për Kupën e Shqipërisë, Studenti-Farka Volej.