Gjergj Vyshka 04.08.2016 18:00
Trajneri Bardhi: “Ka ditë që ka nisur stërvitjen me ne. Është lojtari i eksperiencës dhe që ka shumë trofe mbi kurriz dhe kjo eksperiencë e tij do të na shërbejë.” Në merkaton e verës në volejboll ka lëvizur edhe Farka Voleji. Duket si surprizë, por vetë trajneri i kësaj skuadre, Dritan Bardhi, ka pranuar se pjesë e skuadrës që ai drejton është bërë dhe Genti Lundra.
Më 1 korrik 2016, kur Studenti bënte prezantimin e skuadrës së re me në krye trajnerin Arben Sako, Genti Lundra bënte pjesë në listën e këtij ekipi. Mirëpo tashmë është fakt i kryer dhe Bardhi për ardhjen e Genti Lundrës ka bërë këtë koment: “Është një lojtar i eksperiencës, me shumë trofe të fituara. Jo vetëm kaq, por një lojtar i kombëtares e që me eksperiencën e tij do të na shërbejë shumë.”
“Ka nisur stërvitjen dhe rikuperimin nga një dëmtim i gjatë që ka pasur, – ka shtuar ish-lojtari dikur përkrah Lundrës, tanimë trajner i tij. – Ne jemi shumë të kënaqur me ardhjen e tij dhe shumë shpejt do të bëjmë dhe prezantimin e skuadrës”. Genti Lundra, lojtari i pozicionit nr. 3, që në gjuhën e volejbollit njihet si bllokues, ka luajtur me Studentin dhe Tiranën, ndërsa ka fituar kampionate dhe Kupa të Shqipërisë dhe të Federatës.
Jo vetëm kaq, por ka qenë dhe pjesë e Teutës në Kupat e Evropës, sikurse dhe me Studentin. E tashmë është bërë pjesë e Farka Volejit, ndërsa krahas Koçit, Deliut, Qepës, Nimanit, Metanit, Vllaçajt, Plakut etj, Genti Lundra do të jetë një vlerë e shtuar për këtë skuadër. Ndaj dhe e kanë mirëpritur në ekip, me synimin për të shkuar përtej gjysmëfinales së “play-off”-it për titull.