AlbanianSport.com 22/09/2018 10:00
ASNN – Pas femrave të premten, edhe meshkujt kanë zhvilluar dy sfidat gjysmëfinale dhe Tirana ka qenë finalistja e parë e Kupës së Federatës në volejboll, pas fitores 3-1 ndaj “kampiones” në fuqi, Erzenit, (25-20, 20-25, 25-17, 25-22), në takimin e luajtur në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet. Një rezultat i papritur ky, pasi kampionët shijakas konsideroheshin favoritë, sidomos pas disa përforcimeve në merkato, por nuk ndodhi kështu.
Tirana luajti më mirë, bëri më pak gabime dhe e meritoi fitoren, duke përfituar edhe nga sulmet e humbura të kundërshtarit, që duket se e nënvlerësoi këtë sfidë. Në finalen e kësaj veprimtarie, që luhet sonte në orën 20:00, skuadra bardheblu do të luajë me fituesen që ka dalë nga sfida tjetër gjysmëfinale, ajo midis Studentit dhe Partizanit. Janë të kuqtë kryeqytetas që ka prerë biletën pas fitores në 3 sete (25-14, 25-18, 25-16) që korri të shtunën në mbrëmje ndaj Studentit në derbin kryeqytetas.
Sfida e luajtur në “Feti Borova” (Tirana Olimpik Park) është dominuar në të trija setet nga volejbollistët e trajnerit Ylli Tomorri, që patën epërsi në fushë, duke e merituar fitoren. Studenti për asnjë moment nuk arriti të rivalizojë, bëri shumë gabime dhe ia lehtësoi edhe më shumë fitoren skuadrës së “kuqe”. Të gjitha ndeshjet e Kupës së FSHV-së, për meshkuj e femra, po sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.