Gjergj Vyshka 30.01.2014 19:45
Një grup prej 50 djemsh, të cilët janë nxënës të trajnerit të Farkës Volejit, Dritan Bardhi, kanë qenë në mbështetje të skuadrës, ndërsa e kanë inkurajuar atë që të marrë fitoren ndaj Vllaznisë dhe të hedhë një hap të sigurt drejt finales së Kupës së Shqipërisë. Për t’u evidentuar është fakti, në anën tjetër, se shkodranët kanë qenë një skuadër hija e vetvetes.
Me përjashtim të dy vëllezërve Qafarena, Nikolinit dhe Antonit, pjesa tjetër e skuadrës ka qenë nën nivelin e kërkuar. Për rrjedhojë lojtarët e Farkës, nën dirigjimin e Deliut, por dhe lojën shpërthyese të Koçit e Qepës, apo dhe ndihmës së madhe të Bajramit, Nimanit e Metanit, shto këtu dhe lojtarin e lirë Bërdufi, nuk kanë gabuar në asnjë drejtim.
Dhe atëherë kur seti i parë ka shkuar në shtesë pas barazimit 24-24, gjithçka është kthyer në favor të Farka Volejit dhe përfundimi 26-24. Në dy të tjerët, Farka Volej është gjithnjë në udhëheqje të rezultatit. Ndaj dhe ka fituar 25-17 dhe 25-16. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes ishte Koçi i Farka Volejit me 18 pikë i ndjekur nga Qafarena vogël me 12 pikë dhe Qepa me 11 pikë.
Në bllok ka dalë fitues Deliu i Farka Volejit dhe Miloti i Vllaznisë me dy mure fituese, kurse në shërbim Qepa dhe Nimani me dy të sakta. Në total Farka Voleji në tre sete ka shënuar 76 pikë, teksa vetë ka marrë 57 pikë, ndërsa 19 janë gabimet e shkodranëve. Kurse Vllaznia në total ka shënuar 57 pikë, prej të cilave 33 vetë, kurse 24 kanë ardhur nga gabimet e Farka Volejit. Në përfundim një fitore bindëse dhe spektakolare e Farka Volejit.
Farka Volej – Vllaznia 3-0
(26-24, 25-17, 25-16)
Farka Volej: Deliu, Koçi, Qepa, Metani, Bajrami, Nimani, Bërdufi (L)/Vllaçaj Trajner: D.Bardhi
Vllaznia: Miloti, N.Qafarena, Taflaj, Jukni, Çekini, R.Kola (L), A.Qafarena/K.Kola, Daniku, Lloshi Trajner: A.Kalaja
Gjyqtarë: E.Preka, K.Agolli (Tiranë)