AlbanianSport.com 18.03.2017 15:25
ASNN – Është për të ardhur keq që kjo sfidë midis Elbasanit dhe Farka Volejit u mbyll kështu, sepse deri në ato momente ka qenë një përballje e rivalizuar. Seti i parë u mbyll normalisht 23-25 për miqtë.
Në setin e dytë miqtë kryesonin 9-11, por pikërisht në këtë moment ka nisur edhe përplasja, e cila ka sjellë edhe mbylljen e ndeshjes nga gjyqtarët Eduart Preka dhe Vladimir Sojati, të cilët pa praninë e policisë nuk kanë dashur që ta vazhdojnë më tej.
Madje Preka ka kërkuar që ta ndëshkonte me karton të verdhë lojtarin e Farka Volejit, që edhe provokoi, por në këtë moment nisi dhe sherri mes lojtarëve. Nga burime pranë skuadrës së Farka Volejit mësohet se i godituri është vetëm Redi Koçi.
Kurse të tjerët janë marrë nga trajneri i Farka Volejit, Dritan Bardhi, mënjanë. Sidoqoftë, akte të tilla nuk duhet të ndodhin në rrjetën shqiptare, aq më tepër që jemi në prag të fazës finale për titull “kampion”.