Gjergj Vyshka 18.02.2016 14:10
Tirana si kryesuese e kampionatit të volejbollit të meshkujve ka marrë trepikëshin e radhës. Por dje ka vuajtur ndaj Skënderbeut, një skuadër në dukje e lodhur e që kishte ardhur në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet sa për të kaluar radhën.
Për Tiranën dje ka munguar Ndoni dhe Ferhati, ndërsa Pepa, mësues i edukimit fizik në Fushë-Krujë, ashtu sikurse shkodrani i Skënderbeut, Drinasi, ka ardhur në mesin e setit të dytë.
Sepse e mërkura, e përfshirë si javë kampionati nga Federata Shqiptare e Volejbollit, është ditë punë. E që të luash duhet të lësh punën, por që klubet nuk kanë aq buxhet sa të paguajnë ditën në institucionin kur të gjithë marrin rrogat e tyre mujore.
Thënë ndryshe, e mërkura duket sikur është futur si në “pozicion jashtë-loje” në kampionatin e meshkujve, sepse të tjera llogari kanë bërë klubet me buxhete shtetërore nga Bashkitë përkatëse.