AlbanianSport.com 30.09.2016 20:05
ASNN – Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka konfirmuar edhe një herë statusin e tij si shtëpia e sportit, duke shtuar edhe volejbollin në gamën e transmetimeve të drejtpërdrejta të tij. Gjithçka ka nisur sonte, me ndeshjen hapëse të të Kampionatit të 71-të Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj, derbin kryeqytetas midis Partizanit dhe Tiranës, që u fitua nga të kuqtë me rezultatin 3-1.
Kështu, Kampionati i 72-të Kombëtar i Volejbollit ka ngritur të premten siparin e meshkujve, me derbin kryeqytetas midis Partizanit dhe Tiranës. Të kuqtë kryeqytetas, që janë kthyer tashmë fuqishëm në garë, falë “importimit” të një trajneri të suksesshëm si Ylli Tomori, por edhe një numri konsiderueshëm lojtarësh nga skuadra e vjetshme e Studentit, kanë vendosur menjëherë kandidaturën e tyre për titull, duke fituar ndaj rivalëve bardheblu me shifrat 3-1.
Dy setet e para kanë qenë thuajse identike, si në lojë, ashtu edhe në rezultat, pasi janë fituar nga lehtësisht nga Partizani me shifrat përkatëse 25-18 dhe 25-17. Tirana ka reaguar në setin e tretë, duke kërkuar ta shpëtojë këtë ndeshje, pasi ka luajtur më mirë dhe e fiton këtë set me shifrat 25-19. Por skuadra e drejtuar nga veterani Ylli Tomori, nuk ia ka lejuar vetes të gabojë edhe një set tjetër.
Kjo, pasi e fiton atë të katërtin me shifrat 25-17 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që ka konfirmuar edhe një herë statusin e tij si shtëpia e sportit, duke shtuar edhe volejbollin në gamën e transmetimeve të drejtpërdrejta të tij.