Gjergj Vyshka 12.06.2016 07:25
Shqipëria në volejboll për meshkuj nuk e ka ngritur kokën as në ditën e dytë të stacionit të parë të Ligës së Evropës, që është duke u zhvilluar në Varna të Bullgarisë. Përballë skuadrës vendëse, që në fakt pasi ka luajtur pesë sete dhe mbi dy orë e gjysmë ndaj Danimarkës, është menduar e lodhur, kuqezinjtë e rrjetës kanë qenë të pafuqishëm.
Bullgaria nuk ka bërë eksperimente dhe për rrjedhojë që në setin e parë ka hyrë me vendosmëri për të bërë të pamundurën për të mos pasur surpriza. Në setin e parë deri në pushimin e parë teknik gjithçka është e ekuilibruar, aq sa Bullgaria është vetëm me një pikë epërsi 7-8.
Mandej 12-16, 14-21 dhe seti i parë ka përfunduar 17-25 për vendësit. Në setin e dytë bullgarët janë gjithnjë në epërsi 5-8, 10-16, 13-21 dhe përfundimi identik si i pari, 17-25. Seti i tretë ka nisur ndryshe për volejbollistët kuqezinj, teksa në pushimin e parë teknik janë në epërsi 8-4.
Por mpihen dhe përmbysja e bullgarëve është e menjëhershëm 11-16, 15-21, 15-25 dhe në harkun kohor të një ore e 24 minutave, Bullgaria ka fituar 3-0.
Shqipëri – Bullgari 0-3
(17-25, 17-25, 15-25)
Shqipëria: Pepaj, Lishi, Husaj, Kula, Xhelati, Shurdhi, Gorenxa (L) / Kajtazi, Qafarena, Bardhi, Koçi, Troka. Trajner: J. Melka
Bullgaria: Kiosev, Kartev, Çernokozhev, Atanasov, Latunov, Mançev, Ivanov (L) / Genov, K. Georgiev. Trajner: M. Zhikov
Gjyqtarë: M. Beronikov (Rusi), M. Lagjevski (Poloni)