Emocione të pafund në përballjen e dy prej ekipeve më të mira të volejbollit për meshkuj, Vllaznisë dhe Studenti. Plot 2 orë dhe 30 minuta ka zgjatur kjo ndeshje e luajtur mbrëmjen e së mërkurës në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. E për vetë ecurinë e saj, që nga starti i takimit dhe deri në mbyllje të tij, e mbajti në tension tifozërinë shkodrane. Një ndeshje me pesë sete ku pa diskutim në të gjithë kishte luftë të fortë sportive, rivalitet dhe cilësi të lartë sportive. Miqtë nga Tirana, të drejtuar nga tekniku i njohur Ylli Tomorri, e kanë nisur më mirë takimin kur kanë kryesuar 3-8.
Momentet më të bukura të këtij seti i përkasin fundit të tij, ku pas barazimve 21-21, 23-23, 24-24, 26-26, janë miqtë që e fitojnë setin 26-28. Edhe seti i dytë është i mbushur me emocione 22-21 për Vllazninë, 24-24, 25-25, 25-26. Edhe pse kuqeblutë kanë kryesuar në pjesen më të madhe të këtij seti, në momentin final volejbollistët e Studentit arrijnë të dalin sërishmi fitues me shifrat 25-27. Me këtë ritëm të kampionëve në fuqi të krijohej përshtypja se edhe i treti do të kishte të njëjtin fat për ta mbyllur të gjithë ndeshjen 0-3. Por djemtë shkodranë gjejnë forca që në setin e tretë të frenojnë kampionët.
Edhe këtu barazimet ishin të shumta, ku pas atij 10-10 në fillim emocionuese janë ato 18-18, 24-24 duke e mbyllur me shtese 26-24. Tek seti i katërt vendësit kuqeblu të udhëhequr nga kapiteni Miloti, me një bllok cilësor dhe shumë rezultativ të Rrashketës dhe Nikolin Qafarenes, duke pasur në fushë edhe një talent dymetrosh 18-vjeçar, si Anton Qafarena, e fitojnë pastër atë 25-12. Në të pestin gjithçka nis me avantazhin 4-7 të Studentit. Kuqeblutë korrigjojnë shumë në veprimet e tyre duke e barazuar rezultatin në 9-9. Pastaj me barazimet e tjera të njëpasnjëshme deri tek ai 14-14.
Vllaznia është pranë fitores, por edhe pse i vijnë disa herë mundësitë, qetësia dhe përvoja më e madhe e miqve bën që dy pikët e fitores të jenë për ta duke e fituar setin 14-16 dhe të gjithë takimin me sete 3-2. Një fitore e merituar e skuadrës kampione por njëherazi një sinjal serioz dhe i drejtpërdrejtë nga kuqeblutë e trajnerit Kalaja duke paralajmëruar se këtë sezon janë një pretendet tejet serioz për fitimin e titullit kampion.
Vllaznia – Studenti 2-3
(26-28, 25-27, 26-24, 25-12, 14-16)
Vllaznia: Miloti, Rrashketa, N. Qafarena, A. Qafarena, R. Kola, Tatar, K. Kola / Jukni, Taflaj, Çekini, Gjoklaj, Preka. Trajner: A. Kalaja
Studenti: Tukseferi, Kasa, Gorenxa, Memia, Malaj, Ivanov, Kono / Qerraxhija, Martiro, Çali, Vuldjev, Muça. Trajner: Y. Tomorri
Gjyqtarë: Eduart Preka, Enea Dusha
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 11-të
(24 shkurt 2016)
Farka Volej – Skënderbeu 3-0
Vllaznia – Studenti 2-3
Tirana – Teuta 2-3
Elbasani pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Tirana 10 7 3 24-11 22
- Vllaznia 10 7 3 23-15 21
- Studenti 9 7 2 23-12 19
- Teuta 9 6 3 22-16 17
- Farka Volej 9 5 4 19-14 15
- Skënderbeu 10 1 9 5-27 3
- Elbasani 9 0 9 6-27 2