AlbanianSport.com 05/01/2019 22:40
ASNN – Shuhet ëndrra e kuqezinjve të rrjetës për të shkuar në Evropian, pasi mposhten të shtunën, 3-0 nga Austria. Përfaqësuesja e Shqipërisë në volejboll për meshkuj nuk ia doli të kualifikohet në Evropian, pasi u mund në ndeshjen vendimtare në Grac të Austrisë, nga kombëtarja austriake me rezultatin 3-0. Kuqezinjtë e rrjetës kishin shumë shpresë që mund të përmbysnin austriakët me një fitore që do të mundësonte kalimin në finalet e Kampionatit Evropian.
Por për ekipin e trajnerit Jani Melka nuk pati asnjë shpresë. Austriakët luajtën shumë fort dhe e vlerësuan si duhet ndeshjen. Nuk u lanë mundësi djemve shqiptarë të bëjnë lojën e tyre më të mirë dhe të dilnin në skemat e dëshiruara. Seti i parë ishte mjaft domethënës, pasi përfaqësuesja austriake, nëpërmjet mbështetjes së publikut dhe sulmeve të shpejta arriti të dominojë gjatë gjithë kohës e në fund të fitojë thellë me shifrat 25-13.
Në setin e dytë kuqezinjtë u prezantuan më mirë dhe ia dolën të rivalizonin deri diku mirë në lojën në bllok, apo dhe me goditjet e forta në krahë. Por edhe këtë set e dominuan austriakët, që udhëhoqën vazhdimisht dhe në fund e fituan me shifrat 25-21. Kuqezinjtë u “zgjuan” vetëm në setin e 3-të, ku udhëhoqën me shifra të ngushta por gjatë gjithë kohës, madje ishin vetëm një pikë larg fitores pasi rezultati i këtij seti shkoi në 24-21 për Shqipërinë.
Por kur pritej fitorja e kuqezinjve ndodh e kundërta, austriakët barazojnë dhe luftojnë dhëmb për dhëmbë për çdo pikë e në fund pas disa barazimesh rresht, fitojnë setin me shifrat 30-28 dhe krejt takimin me rezultatin 3-0. Me këtë fitore, austriakët shkojnë në dhjetë pikë, pas Portugalisë kryesuese, kurse Shqipëria e volejbollit të meshkujve mbetet në pesë pikë dhe praktikisht e eliminuar. Në vazhdim, kuqezinjtë do të luajnë një ndeshje sa për statistikë kundër Portugalisë.
Një ndeshje ku të paktën djemtë e rrjetës mund të luajnë pa stres dhe për një përballje me dinjitet. Objektivi kualifikim nuk u arrit dhe skuadra e Jani Melkës nuk ia doli as këtë herë të shkojë në Evropian. Sidoqoftë, prezantimi i përfaqësueses së meshkujve ishte cilësisht më i mirë krahasuar me atë të femrave.
Austri – Shqipëri 3-0
(25-13, 25-21, 30-28)