Gjergj Vyshka 28.03.2016 11:05
Seminari dyditor teoriko-praktik ndërkombëtar me gjyqtarët e volejbollit shqiptar ka përfunduar dje me konferencën e shtypit të presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, në ambientet e hotel “Doro City”. Përkrah tij, përveç sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola, dhe kryetarit të Komisionit Tekniko-Gjykues, Konals Gjoka, kanë qenë presidenti i Komisionit Tekniko-Gjykues në Federatën e Volejbollit të Turqisë, Umit Sokullu, dhe gjyqtari ndërkombëtar turk Osnur Hosnut.
Përpara konferencës për shtyp për gati pesë orë është zhvilluar seanca praktike, e cila, përveç demonstrimeve të Sokullus dhe Hosnut për të gjitha ato pikëpyetje që gjyqtarët shqiptar kanë pasur, ka pasur dhe një lojë me Farka Volej dhe Tiranës për të rinj. Sepse jo vetëm gjyqtarët e lojës, por dhe anësorët kanë pasur nevojë për të treguar atë që kanë marrë si informacion nga të dërguarit e Federatës së Volejbollit të Turqisë. Jo rrallëherë duke nisur që nga starti i lojës për futje e gjyqtarëve dhe të skuadrave në fushë, e më pas për mënyrën se si duhet dhe ku duhet të rrinë pjesa e stolit të rezervave, apo dhe për momente të veçanta të lojës Sokullu e Hosnut e kanë ndalur disa herë ata. Në seminar kanë qenë 30 gjyqtarë e në fund ndarja ka qenë miqësore, ndërsa ky, të paktën sikurse u bë e ditur dhe në konferencën për shtyp, është vetëm fillimi i bashkëpunimit me Turqinë.