Gjergj Vyshka 22.08.2016 15:30
Federata Shqiptare e Volejbollit, me mbështetjen e plotë të Federatës Evropiane të Volejbollit, të shtunën në Divjakë ka organizuar “CEV Youth Summer Festival 2016”. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë rreth 200 fëmijë të grupmoshave Nën-12, Nën-14, Nën-16 dhe Nën-18.
Ata përfaqësonin disa qytet të Shqipërisë si Pogradec, Korçë, Lezhë, Mirditë, Durrës, Lushnjë, Divjakë, Krutje, Fier, Elbasan, Vlorë, Himarë dhe Kuçovë. Të pranishëm në këtë festë të volejbollit kanë qenë Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, Sekretari i Përgjithshëm i saj, Albens Vokopola, si dhe anëtarja e kryesisë Gentiana Nicaj.
Fëmijët i kanë zhvilluar ndeshjet midis tyre sipas grupmoshave, ndërsa Federata Shqiptare e Volejbollit i uron sukses të gjithë pjesëmarrësve në këtë veprimtari. Një veprimtari që ka gjetur pasqyrim të gjerë dhe në faqen e internetit të Federatës Evropiane të Volejbollit.