Volejboll / Martiri: Kampionati, i vakët, Partizani fitoi falë menaxhimit (I)

Share Button

AlbanianSport.com 26/05/2019 17:30

ASNN – Volejbolli është një prej sporteve më të dashur në Shqipëri. Edhe pse me probleme, volejbolli vijon të jetë tërheqës, por cilësia lë për të dëshiruar dhe disa probleme në infrastrukturë dhe menaxhim kanë dëmtuar planet afatgjata të volejbollit shqiptar.

Duke folur për këto probleme, por edhe për anët pozitive e negative të shfaqura në edicionin që sapo është mbyllur, trajneri i përfaqësueses së femrave, Altin Martiri, vë theksin tek disa elementë që duhet të përmirësohen, si pjesë e një politike sportive të shëndetshme.

Ai përmend infrastrukturën, menaxhimin, procesin stërvitor, por edhe tregun si komponentët kryesorë që kërkojnë vëmendjen e instancave. Nuk mungojnë në këtë intervistë mendimet e tij rreth gjendjes së skuadrës kombëtare dhe pritshmërive të saj, prania e lojtareve të huaja dhe ndikimi i tyre, por edhe shembullin që po jep Erblira Bici, e cila po luan në nivele shumë të larta në Evropë.

Kjp është intervista e tij, dhënë të përditshmes shqiptare, Gazetës “SOT”, që AlbanianSport.com po jua sjell në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë.

 

– Kampionati u mbyll dhe pati një fitore dyfishe të Partizanit, që rrëmbeu titullin si për femra dhe për meshkuj. Cili është komenti juaj për këtë edicion që lamë pas? Çfarë kishte ai të veçantë dhe si mund ta përshkruajmë në tërësi nivelin e volejbollit tonë, specifikisht atë të femrave?

– Volejbollit shqiptar, pra kampionatit, me përjashtim të tri skuadrave që kanë pasur në gjirin e tyre lojtare të huaja, i mungon rivaliteti. Nuk ka një qëndrueshmëri dhe rivaliteti në tërësi nuk është konstant, fazë interesante është vetëm ajo e “play-off”-it. Janë 7-8 ndeshje të luftuara që janë pak për një kampionat të tërë. Pra, me përjashtim të 7-8 ndeshjeve pjesa tjetër e sezonit është e vakët. Tirana, që arriti në finale, e shfaqi veten vetëm në fund të kampionatit, pra në “play-off”, kurse gjatë gjithë edicionit ishte në hije. Për mendimin tim risi janë lojtaret e huaja, pasi një sezon më parë kishte të tilla vetëm Partizani, kurse këtë vit patën edhe skuadrat e tjera.

 

– Meqë përmendëm lojtaret e huaja, cili është mendimi juaj për numrin dhe ndikimin e tyre në kampionatin shqiptar të volejbollit?

– Gjërat duhen parë të lidhura me kushtet ku operon volejbolli shqiptar. Ne kemi një kontingjent të kufizuar volejbollistesh, kështu që të huajat janë të domosdoshme. Është fakt që ato rrisin nivelin e garës dhe pretendimet e vetë klubeve, kështu që prania e tyre në skuadra të ndryshme rrit njëherësh rivalitetin dhe ky përbën një tjetër element pozitiv. E përsëris, s’kemi kontingjent të madh, pra kemi pak lojtare dhe niveli lë për të dëshiruar, prandaj prania e lojtareve të huaja është pozitive.

 

– Kur flasim për nivelin në tërësi, çfarë note do t’i vinit garës së këtij sezoni?

– Kampionati shqiptar ka problemet e tij dhe rrjedhimisht limitet e tij. Që të vëmë një notë duhet të bëjmë një krahasim, pra duhet që volejbollin tonë ta krahasojmë me atë të vendeve të tjera, që kanë cilësi tjetër të kësaj loje. Por ne nuk jemi Italia, e cila ka volejboll të nivelit të lartë. Shqipëria është vend i vogël, me problemet e saj dhe siç thashë me një kontingjent të vogël. Kurse atje (në Itali e gjetkë në Evropë) kontingjenti është më i madh dhe mundësitë e përzgjedhjes më të mëdha. Ne nuk mund të krahasohemi me ta për nga cilësia dhe kontingjenti.

 

– Më lejoni t’ju sfidoj me një konstatim të thjeshtë: Dinamo e volejbollit të femrave e vitit 1990 por edhe ekipi kombëtar, kanë arritur nivele shumë të larta evropiane…

– Edhe një herë, krahasimi bëhet për periudhën e tanishme. Sot që flasim, volejbolli shqiptar është sport amator, ku ekipet stërviten një herë në ditë. Kurse në atë periudhë për të cilën ju flisni, pra midis 1983-1990 volejbolli ynë ishte profesionist. Mos harrojmë, ekipet e moshave kishin shumë elemente cilësore dhe kampionati në tërësi ishte i zgjeruar, me një pjesëmarrje me më shumë skuadra. Kishte rivalitet dhe profesionalizëm, ndërsa tani nuk e kemi atë cilësi, pavarësisht vajzave të talentuara që ka në përbërje ekipi përfaqësues. Janë shumë elementë që kanë ndikuar në paraqitjen e asaj kohe dhe po shumë elementë që ndikojnë negativisht në ecurinë e tanishme.

 

– Ka një risi ky kampionat: Partizani fitoi titullin si për femra dhe për meshkuj. Çfarë e bën të veçantë suksesin e këtij klubi gjatë këtij edicioni?

– Ishte një sukses i rëndësishëm. Tek të dyja skuadrat vlen të përmendet menaxhimi i klubit, struktura e ngritur prej tij. Mos harrojmë që të dyja skuadrat ishin me sponsor dhe menaxhimi i sponsorëve ishte mjaft i mirë. Që të kuptohemi, “thembra e Akilit” në volejbollin shqiptar është menaxhimi. Tek Partizani është bërë si duhet, prandaj ka ardhur edhe suksesi i dëshiruar.

 

– Të flasim për përfaqësuesen kuqezi në volejbollin e femrave. Ka bërë paraqitje të mira, ka përpjekje për më mirë, por ekipit i mungojnë rezultatet. Pse ky ngërç me ekipin kombëtar? Pse na mungojnë rezultatet?

– Kjo që thoni nuk është plotësisht e saktë, pasi ekipi kombëtar i volejbollit ka ardhur në progres dhe ka regjistruar suksese, sepse skuadra jonë ka marrë pjesë në Ligën e Evropës. Të mos harrojmë, Kombëtarja e femrave kishte 3 vjet pa u grumbulluar. Në vitin e parë ne dolëm të fundit, por patëm rezultate pozitive. Fituam me Bjellorusinë dhe Poloninë. Në vitin e dytë situata shkoi më mirë dhe përmirësimi vazhdoi. Në këtë periudhë fituam me Bjellorusinë dhe Austrinë. Kurse në vitin e 3-të të drejtimit tim, pra vjet, ne arritëm të kalonim grupin dhe fituam medaljen e bronztë në Ligën e Argjendtë të Evropës. Në këtë etapë, përveç Shqipërisë, ekipet pjesëmarrëse ishin Suedia, Gjeorgjia, Estonia, Izraeli, Austria, Zvicra, por edhe Kosova. Nuk është e lehtë për volejbollin tonë të përballet sot me ekipet e ndryshme evropiane. Suedia kishte në përbërje Isabelë Ha’ak, e cila luan në Serinë A1 italiane. Austria ka 3 lojtare në Serinë A1 italiane, kurse Estonia kishte dy lojtare në Serinë A2 italiane që është gjithashtu një kampionat shumë i fortë.

 

Vijon nesër…

 

Kush është Altin Martiri?

Datëlindja      :           19.04.1971

Vendlindja     :           Tiranë

Punon                        :           Pedagog pranë Universitetit të Sporteve, jep lëndën “Volejbolli”

Karriera          :           6 herë “kampion kombëtar” si sportist me Dinamon dhe Studentin, 5 herë fitues i Kupës së Republikës me Partizanin dhe Studentin.

Si trajner        :           “Kampion” me Studentin, fitues i Kupës dhe i Superkupës me Studentin, të gjitha në vitin 2005. Ka drejtuar, gjithashtu, skuadrën e Rrëshenit (Mirdita) dy vjet.

Drejton prej vitit 2016 skuadrën kombëtare

Artikuj të tjerëFaqja Kryesore

Basketboll – Meshkuj / Mbyllet java e 29-të, Real Madrid nuk lëshon pé

Basketboll – Meshkuj / Mbyllet java e 29-të, Real Madrid nuk lëshon pé

AlbanianSport.com 15/03/2024 23:05 ASNN – Veprimtaria më prestigjioze kontinentale e klubeve në basketboll

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

AlbanianSport.com 15/03/2024 21:15 ASNN – Vllaznia e Erzeni fitore me shije “play-off”-i, Studenti

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

AlbanianSport.com 15/03/2024 19:25 ASNN – Besëlidhja komandon e vetme Superligën, sfidë e fortë

Kombëtarja / Silvinjo shpall listën, kthehet Manaj & Broja, debuton Hoxha

Kombëtarja / Silvinjo shpall listën, kthehet Manaj & Broja, debuton Hoxha

AlbanianSport.com 15/03/2024 18:30 ASNN – Miqësoret ndaj Kilit & Suedisë, trajneri Silvinjo publikon

Luhen dy takime të tjera të javës së 12-të, fiton Pogradeci & Vllaznia

Luhen dy takime të tjera të javës së 12-të, fiton Pogradeci & Vllaznia

AlbanianSport.com 15/03/2024 17:35 ASNN – Superliga, Pogradeci dhe Vllaznia fitore me shije “play-off”-i

  

Kuqezinjtë në “Gjermani 2024” – Vendi Organizator & Të rejat më të fundit

banner
banner
banner

Arkiva

banner
banner
banner
banner
banner
banner

Kontakte dhe informacione

Rrjeti Shqiptar i Lajmeve Sportive (ASNN)

PR & Marketing:
Gentiana Kodra (Pine)

Rrjetet Sociale

Rreth Nesh