Gjergj Vyshka 19.03.2017 09:35
Bardheblutë e Tiranës në volejboll për femra janë mundur në setin final nga Partizani, 2-3, por për meshkuj kanë arritur të rikuperojnë dhe të mundin Vllazninë. Maratonë e vërtetë në Sallën Sportive, “Fahrie Hoti”.
Dy kryesfidat e volejbollit të femrave dhe të meshkujve, që kanë nisur në ora 16:00 dhe kanë përfunduar në ora ora 21:38, i kanë mbajtur të gjithë të mbërthyer, sepse emocionet kanë qenë më shumë se të mëdha dhe të forta.
Dhjetë sete të luajtura, atje ku fituesit, Partizani për femra dhe Tirana për meshkuj, kanë ardhur nga seti final. Sigurisht ndeshje të bukura, që përmblidhen në një emër, volejbolli dhuron spektakël.
Ndeshje mbi të gjitha që kanë pasur dhe vëmendjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, Zëvendëspresidentit Dashamir Brari dhe Sekretarit të Përgjithshëm Albens Vokopola.
Pa harruar këtu dhe praninë e kryetarit të komisionit tekniko-gjykues, gjyqtarit ndërkombëtar Konals Gjoka. E Tirana me një herë po e një herë jo i ka bërë përgjysëm të kënaqur tifozët e vet, që nuk mungojnë dhe në ndeshje volejbolli.