Gjergj Vyshka 23.01.2016 23:05
Meshkujt do të jenë përballë Bullgarisë, Danimarkës dhe Maqedonisë, kurse femrat do të kenë kundërshtare Poloninë, Bjellorusinë dhe Sllovakinë. Një stacion edhe në Shqipërinë. “Është një lajm i mirë, sepse kështu do të kenë mundësinë vajzat që të shprehin vlerat e tyre më të mira, – ka deklaruar trajneri i përfaqësueses kuqezi volejbollit për femra, Hasan Gurabardhi. – Si Polonia, ashtu dhe Sllovakia janë kundërshtare të forta, që janë në elitën e volejbollit evropian.”
“Por të paktën edhe duke luajtur në vendin tonë do të kemi mundësinë e shprehjes së vlerave reale të volejbollit shqiptar për femra, – ka vijuar ai. – Një paraqitje dinjitoze, ndërsa grupit të lojtareve të kampionatit do t’i bashkëngjiten dhe ato që do të luajnë në Evropë. Premtojmë një Shqipëri dinjitoze.” Ndërsa homologu i tij, trajneri i përfaqësueses së meshkujve, Ylli Tomori, vlerësoi rolin e medias në rikthimin e rrjetës shqiptare në Evropë.
“Së pari ju falënderoj juve si media për sensibilizimin që keni bërë për mungesën e kombëtares së femrave në veprimtaritë ndërkombëtare, – ka deklaruar ai. – Sepse është realisht dhe meritë e juaja. Së dyti, janë kundërshtar të vështirë, sepse nuk luajmë me vendet e ulëta në nivel, si Qipro, Andorra apo Malta. E së treti, që të jemi dinjitozë, duhet të nisim përgatitjet që tani me një strategji të qartë se ku do të arrijmë, të shoqëruar me zbore dhe me ndeshje miqësore.”
“Sepse nëse do të vazhdojmë me grumbullime me një, dy apo dhe një javë para aktivitetit më mirë të mos i harxhojmë lekët kot, – ka vijuar trajneri kuqezi, që është njëkohësisht edhe trajneri i skuadrës “kampione” në fuqi në volejbollin e meshkujve, Studentit. – Është shans që luhet në qershor, sepse lojtarët janë në formë. Dhe kemi mundësinë të paraqesim një vlerë reale të volejbollit të meshkujve. Duhet përshëndetur dhe Federata Shqiptare e Volejbolit për këtë hap që ka hedhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Ligën e Evropës.”
Liga e Evropës
Volejboll – Meshkuj
Grupi A
(10-12 qershor në Bullgari,
17-19 qershor në Maqedoni)
Nr. Ekipi
- Bullgaria
- Maqedonia
- Danimarka
- Shqipëria
Liga e Evropës
Volejboll – Femra
Grupi A
(3-5 qershor në Poloni,
17-19 qershor në Shqipëri)
Nr. Ekipi
- Polonia
- Bjellorusia
- Sllovakia
- Shqipëria