ASNN – Përfaqësuesja që padyshim mund të cilësohet si surpriza e Botërorit të Volejbollit të Meshkujve, Irani, ka dëshmuar se ajo fitore 3-1 e arritur në ndeshjen e parë ndaj Italisë nuk ishte një rastësi, duke vijuar të triumfojnë edhe në ndeshjen e tyre të dytë në grupin D, këtë radhë në shifrat 3-2 ndaj amerikanëve.
Një tjetër ndeshje interesante e përcjellë nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka qenë ajo e mbrëmjes, dueli i fqinjëve midis Francës dhe Italisë, që është fituar nga kjo e fundit në shifrat 3-2. Kampionati Botëror i Volejbollit për Meshkuj ka zhvilluar të martën ndeshjet e ditës së tij të 3-të, duke dhuruar të tjera emocione që po përcillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Pasdite, ekrani publik ka sjellë takimin më të spikatur, atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësueses që padyshim mund të cilësohet si surpriza e këtij Botërori, Iranit. Aziatikët kanë dëshmuar se ajo fitore 3-1 e arritur në ndeshjen e parë ndaj Italisë nuk ishte një rastësi, duke vijuar të triumfojnë edhe në ndeshjen e tyre të dytë në grupin D, këtë radhë në shifrat 3-2 ndaj amerikanëve.
Iranianët kryesojnë të shkëputur renditjen e grupit, në kuotën e 5 pikëve, si skuadra e vetme që i ka fituar të dy ndeshjet e deritanishme. Një tjetër ndeshje interesante e përcjellë nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka qenë ajo e mbrëmjes, dueli i fqinjëve midis Francës dhe Italisë, që është fituar nga kjo e fundit në shifrat 3-2.
Francezët kanë dominuar në dy setet e para, duke i fituar ato, por nuk kanë arritur ta vulosin fitoren në atë të tretin. Italia ka reaguar, duke i fituar dy setet e tjera dhe duke e çuar gjithçka në setin e fundit, të cilin gjithashtu e ka fituar në shifrat 15-12 dhe bashkë me të edhe gjithë takimin me rezultatin 3-2.